Ergys Kaçe është rikthyer edhe një herë në tre gun e “dëshirave”, në futbollin grek. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, pasi kaloi një edicion të vështirë gjatë vitit të shkuar, duket se ka rifituar terren në futbollin profesionist në vendin helen.
Mesfushori i talentuar i kuqezinjve është tashmë një emër që kërkohet me çdo kusht nga njëra prej skuadrave greke. PAS Janina, ka bërë kërkesë zyrtare pranë PAOK-ut për të marrë shërbimet e shqiptarit.
BISEDIMET – Mediat greke kanë bërë me dije se shqiptari është i pari në listën e dëshirave për trajnerin Petraqis. Emri i Ergys Kaçes shihet si i duhuri për skuadrën greke, e cila kërkon të shtojë fantazinë në repartin ndërlidhës të ekipit.
Kaçe është formuar në futbollin grek dhe prej disa vitesh ka qenë pjesë e kategorisë elitare të futbollit helen dhe për këtë, është një lojtar me shumë të ardhme që mund të adaptohet shpejt në çdo skuadër.
HUAZIMI – Drejtuesit e PAS Janinës njihen për marrëdhëniet e mira me PAOK-un, pasi kanë shkëmbyer mes tyre edhe lojtarë nga sezoni i shkuar. Në këtë logjikë të marrëdhënieve, duke qenë se Kaçe kërkon të shfrytëzojë talentin e tij dhe për këtë ka nevojë për minuta, atëherë PAS Janina ia ofron një mundësi të tillë.
Në ditët në vijim do të ketë bisedime konkrete mes drejtuesve të të dyja ekipeve për të parë mundësinë e huazimit të tij deri në fund të sezonit. Kaçe, në këtë mënyrë, do të zëvendësonte shqiptarin e larguar nga PAS Janina, Andi Lilën.
Mesfushori i Kombëtares që aktualisht është në kërkim të një skuadre, ka lënë një hapësirë të konsiderueshme në formacionin e Janinës në mesin e fushës.