Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë në Spitalin Memorial të Fierit, me argumentin se nuk mund t’ja besojë jetën e tij nën narkozë kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilëson si personin ‘që më internoi në Fier’.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj këmbëngul që operacionin ta zhvilloj në spitalin që ka zgjedhur familja e tij, në Tiranë. Për këtë Veliaj thotë se pret vendimin e Gjykatës së Posaçme, së cilës i është drejtuar të premten për këtë çështje.
Reagim i kryetarit Veliaj:
E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!









