Tre vjet pasi Shqipëria goditi Lazaratin, Europol e quan vendin si burimin kryesor të prodhimit dhe trafikut të kanabisit në Europë. “Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE”, shkruhet në raportin vitit 2017 mbi “Vlerësimin e Rrezikut të Krimit të Organizuar”, siç mund ta shihni në faqen më poshtë të Europol.
Raporti i Europol tregon tre rrugët kryesore që përdorin trafikantët e kanabisit; atë drejt Italisë me mjete lundruese – skafe, gomone, peshkarexha, anije, kamionë – drejt Holandës e Gjermanisë nëpërmjet Mali të Zi e Bosnjes dhe atë drejt Greqisë.
Këto janë rrugët ku gjatë vitit 2016 dhe fillimit të 2017 janë kapur sasitë më të mëdha të kanabisit të prodhuar në Shqipëri, disa dhjetëra tonelata.
Raporti i Europol vjen pas deklaratës së kreut të antimafias italiane, i cili tha në Tiranë se prodhimi dhe trafiku i kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë është trefishuar.
I gjithë trafiku, sipas Europol, bëhet nga banda të krimit të organizuar.
“Prodhimi i drogës, trafikimi dhe shpërndarja: Tregtia e drogës mbetet një nga format kriminale më të përhapura në BE. Më shumë se sa një e treta e grupeve kriminale aktive në BE janë të përfshira në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e llojeve të ndryshme të drogës. Shkalla e prodhimit industrial të drogës sintetike brenda vendeve të BE është zgjeruar dhe çimentuar në BE duke u kthyer në burim kryesor në shpërndarjen e saj në gjithë globin” thuhet në raportin e Europol.
Për kanabisin, prodhues kryesor i të cilit mbetet Shqipëria, në raport shkruhet:
“Kanabisi mbetet, deri më tani, droga ilegale më e konsumuar në BE (EMCDDA & Europol 2016, EU Drug Markets Report 2016, p. 60). Në vitet e fundit, kanabisi bimor ka pasur një rritje të madhe mes konsumatorëve, kjo ka ccuar në rritjen e prodhimit të tij në vendet pranë BE-së si dhe përdoruesve brenda tregjeve të BE. Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE”.
Raporti është hartuar mbi bazën e të dhënave të shërbimeve të inteligjencës së disa vendeve, të cilat janë të prekura nga trafiku i drogës.