Një skemë e ngjashme me filmat aksion tronditi kryeqytetin grek mbrëmjen e së shtunës, duke lënë pas tri viktima, të gjithë me origjinë shqiptare dhe të gjithë me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, mediat greke shkruajnë se në sfond të përleshjeve të përgjakshme me tre të vdekur dhe dy policë të plagosur në Athinë, ka si motiv larjen e hesapeve për shitjen e lëndëve narkotike.
“Protagonisti” dhe ai që nisi sherrin e armatosur është një 48-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili humbi jetën pas shkëmbimit të të shtënave me Policinë në Agios Anargyros. Ai ishte pasagjer në një automjet tip “Mercedes” dhe anëtar i vogël i një bande të shkatërruar në maj, ndërsa personi që ndërroi jetë gjatë mëngjesit të së dielës, ishte kreu i bandës.
Gjithçka nisi mbrëmjen e së shtunës, kur anëtarët e dy familjeve nga Shqipëria u takuan në rrugën “Kourtidou”, në Kato Patisia, për të sqaruar se kush është përgjegjës për zhvendosjen e rrjetit të shitjes së narkotikëve. Në vendngjarje kanë mbërritur një “Mercedes” me një shofere femër dhe 48-vjeçari, një “Audi” me tre persona, një motor me një dhe një person në bord dhe një “Polo”, me tre persona të tjerë të dy familjeve. Kur i armatosuri pa se drejtuesi i grupit nuk ishte i vetëm, por shoqërohej nga persona të tjerë, ai nxori pistoletën dhe filloi të qëllonte. Nga të shtënat e para ka mbetur i plagosur rëndë një i ri që drejtonte një motoçikletë.
Motoçikletën e ka ndjekur babai i viktimës, në një makinë tip “Audi”, në të cilën udhëtonin dy persona të tjerë. Babai, gjithmonë sipas burimeve të Policisë, ka qëlluar autorin e plagosjes së të birit, duke i shkaktuar vdekjen më vonë. Pasagjeri i “Audi”- t, i cili tentoi të vraponte për t’u mbrojtur, u godit dhe u plagos nga një makinë që kalonte. Në të njëjtën kohë, pasagjeri i “Mercedes”-it, i cili më parë kishte hapur zjarr është larguar nga makina. Menjëherë pas kësaj, ai ka ndaluar një shofer që kalonte rastësisht dhe i ka marrë mjetin nën kërcënimin e armës, një “Toyota Yaris” të zi dhe iku drejt Agioi Anargyros. Policia nisi menjëherë hetimet dhe kërkimet për gjetjen e të arratisur nga Patisia. Forcat e rendit e gjetën atë në sheshin “Dimokratias”, Agioi Anargyrou, ku kreu një grabitje në një lokal. I dyshuari ka tentuar të ikë në këmbë. Makina e patrullës e ka ndjekur.
Më pas burri me origjinë shqiptare ka qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë, duke plagosur njërin në këmbë, ndërsa i dyti ka marrë një plumb lart në pjesën e shpatullës. Policia iu përgjigj zjarrit, duke e qëlluar për vdekje autorin e armatosur. Ndërkohë, u arrestua edhe drejtuesja femër e “Mercedes”-it, gjithashtu me precedentë penalë.
“Kriminel mizor”, si përshkruhet nga mediat greke shqiptari i vrarë nga Policia
Ndërsa nuk dihen ende identitetet e shqiptarëve të vrarë dhe ata të përfshirë në ngjarje, në dritë ka dalë vetëm i njëri prej tyre. Ai është Andon Dhimitraq Tefi, 46-vjeç, babai i një fëmije, ndërsa në shtetin grek njihej si Antonis. Viktima e dytë, është Armando Lamaj nga Vlora, i njohur gjithashtu me Tefin dhe i arrestuar edhe për lëndë narkotike. Mediat helene shkruajnë se Tefi njihej nga autoritetet për përfshirjen në rrjetin e shitëse së lëndëve narkotike dhe se prej vitesh ishte pjesëmarrës në organizata kriminale. Autori ka qenë i martuar dhe ka një vajzë, ndërsa zyrtarisht ka deklaruar se drejtonte një dyqan për lyerjen e makinave.
Tefi konsiderohej si një nga kriminelët më të ashpër të Athinës, aktiv në rrjete të ndryshme droge, gjithmonë i armatosur dhe i pamëshirshëm. Kjo u pa qartë nga mënyra se si ai qëlloi fillimisht burrin që udhëtonte me motor gjatë përleshjes në Kato Patisia dhe ekzekutoi ftohtë të atin, i cili doli nga makina sapo pa djalin e tij, duke u qëlluar. Pas sherrit në rrugën “Kourtidou” vodhi një makinë nën kërcënimin e armës dhe u nis drejt Agioi Anargyrou, ku tentoi të grabiste një pikë karburanti. Madje, vlerësohet se banditi shqiptar mund të ketë kërkuar paratë për t’u arratisur në Shqipëri dhe për të shmangur arrestimin.
“Një kriminel mizor”
Policia, e cila kishte “bllokuar” të gjithë zonën mes Kato Patisia dhe Agioi Anargyri, ka pikasur mjetin në të cilën hipi shqiptari, Andon Tefi dhe që nga ky moment ka nisur ndjekjen. Të trajnuar mirë dhe të vendosur, ata e dinin që në momentin e parë se autori mund të hapte zjarr ndaj tyre. Ata e transmetonin vazhdimisht këtë me valë, se ky ishte një kriminel shumë mizor, duke kërkuar përforcime të menjëhershme. Pas shkëmbimit të armëve, sulmuesi është rrethuar, por pak para se të vihej në pranga, ka qëlluar një nga efektivët, duke e plagosur në shpatull dhe në ije. Fatmirësisht, jeleku antiplumb shpëtoi efektivin e ri të Policisë greke, ndërsa kolegu i tij hapi sërish zjarr dhe rrëzoi përtokë shqiptarin duke i shkaktuar vdekjen.
Roli i një gruaje në përplasjen me armë që trazoi Athinën
Një rol të rëndësishëm në përplasjen me armë për larje hesapesh që lidhen me trafikun e drogës ka luajtur edhe një grua. Bëhet fjalë për një 43-vjeçare, e dashura e 46-vjeçari që mbeti i vrarë nga të shtënat e forcave të rendit, ndërsa sipas mediave greke, ai bëri rezistencë. Mësohet se gruaja ka qëlluar me armë nga automjeti që drejtonte ajo në vendin e ngjarjes, duke lënë të plagosur një 23-vjeçar. Mediat greke bëjnë me dije se drejtuesja femër e një prej automjeteve që u përfshi në përplasje me armë zjarri është arrestuar nga policia.
Mediat greke shkruajnë se bëhet fjalë për larjes hesapesh midis dy grupesh, në njërën anë a Andon Tefi dhe e dashura dhe në anën tjetër, dy makina dhe një motoçikletë. Personat në dy makinat tjera ishin arrestuar për drogë disa muaj më parë, por për shkak se ishte një sasi e vogël ata nuk u futën në burg, shkruan panorama.
Një dëshmitar okular përshkruan atë çfarë ndodhi gjatë përpjekjes së Policisë për të arrestuar Andon Tefi, duke theksuar se fillimisht kishin kujtuar se bëhej fjalë për fishekzjarrë, ndërsa shton se kishte parë dy policë të plagosur.
“Ishim ulur jashtë dhe papritur dëgjuam të shtëna me armë zjarri. Në fillim menduam se ishte fishekzjarrë. Më pas kuptuam se çfarë ndodhi 50 metra larg nesh. Ne pamë një oficer police që po çalonte dhe një tjetër që ishte rrëzuar. Kishim frikë po të afroheshim më shumë. Disa thanë se tentuan të grabisnin një dyqan teksa po kalonin policët dhe ata u përplasën me ta”, thotë një dëshmitar okular.