Në Gjirokastër ka mbetur gjithçka pezull. Mungesa e trajnerit ka bërë që në klub të mos ketë as afrime zyrtare dhe as plan të vënë në zbatim për fazën përgatitore. Ndonëse është diskutuar Greqia, si vendi i mundshëm për gjirokastritët që të mund të zhvendosen për të kryer fazën përgatitore për rreth dy javë, duhet pritur ende që kjo gjë të vihet në zbatim.
Ndonëse në klub është diskutuar drejt kësaj mundësie, duhet pritur deri në ditët e para të javës së ardhshme, kur edhe mësohet se mund të ketë të reja në aspektin e caktimit të trajnerit të ri.
TRAJNERI I RI
Së fundmi është diskutuar edhe emri i trajnerit Mirel Josa si alternativë, mirëpo burime të sigurta të gazetës pranë klubit bluzi kanë përgënjeshtruar gjithçka rreth kësaj piste. Në pritje të zyrtarizmit të trajnerit të ri, i cili pritet të bëhet javën e ardhshme, gjirokastritët vijojnë përgatitjet në terrenin sportiv “Fusha e Vjetër” nën drejtimin e Petraq Meçit dhe kapitenit Orjad Beqiri.
Edhe pse janë përfolur disa emra trajnerësh, aktualisht nga sa mësohet, nuk është arritur asnjë marrëveshje. Dy ditë më parë, presidenti Grigor Tavo u ka thënë futbollistëve se maksimumi deri të martën do të emërohet trajneri ri.
PËRGATITJET
Kësisoj, ekipi gjatë këtyre ditëve do të stërvitet nga Petraq Meci dhe kapiteni Beqiri dhe vetëm pas së hënës, pritet të mësohet dhe emri i atij që do të marrë drejtimin e bluzinjve. Te Luftëtari vijojnë të stërviten po të njëjtët futbollistë me nga një seancë stërvitore në ditë. Pavarësisht se me herët drejtuesit bluzinj patën hyrë në bisedime me dy-tre futbollistë, zyrtarizimet në hyrje mungojnë./panorama