Teuta vijon me intensitet maksimal përgatitjet për sfidën vendimtare të “play out”-it ndaj Pogradecit, një duel që do të përcaktojë fatin e durrsakëve për sezonin e ardhshëm. Objektivi i “Djemve të Detit” është i qartë, fitorja dhe qëndrimi në elitën e futbollit shqiptar.
Edhe pse sezoni nuk shkoi sipas pritshmërive për skuadrën bregdetare, në kampin durrsak mbizotëron optimizmi para kësaj përballjeje delikate. Grupi është paraqitur i plotë në stërvitje dhe stafi teknik ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, një element shumë i rëndësishëm në prag të një ndeshjeje që konsiderohet si “finalja” e sezonit. Nën drejtimin e trajnerit Hodo, Teuta ka zhvilluar seanca intensive gjatë gjithë javës, me fokus të veçantë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë teknik-taktik.
Në stërvitjet e fundit, trajneri ka kërkuar përqendrim maksimal, disiplinë dhe intensitet të lartë nga lojtarët, ndërsa skuadra është shfaqur mjaft e motivuar për të shmangur rënien nga Superiorja. Kushtet atmosferike në Durrës kanë qenë ideale për përgatitjet dhe ekipi ka vijuar normalisht programin pa asnjë problem. Në kampin blu besohet se eksperienca e futbollistëve më të rëndësishëm, së bashku me cilësinë që skuadra ka në organikë, mund të bëjnë diferencën në këtë sfi dë me peshë të madhe psikologjike dhe sportive.
Për Teutën, ndeshja ndaj Pogradecit përfaqëson objektivin më të rëndësishëm të këtij sezoni. Durrsakët synojnë ta mbyllin kampionatin duke ruajtur vendin mes skuadrave më të mira të futbollit shqiptar dhe duke shmangur një tjetër sezon zhgënjyes. Nga ana tjetër, stafi teknik është i vetëdijshëm se përballë do të ketë një Pogradec të motivuar, por te Teuta besojnë se faktori eksperiencë dhe presioni i menaxhuar më mirë mund të jenë armët kryesore për të siguruar mbijetesën.
Në prag të këtij dueli, atmosfera në kampin durrsak duket pozitive dhe skuadra po përgatitet me bindjen se mund ta mbyllë sezonin me buzëqeshje, duke siguruar edhe një vit tjetër në Superiore. Edhe Pogradeci e ka marrë me qetësi këtë përballje, ndonëse e dinë mirë se duhet të luajnë gjithçka për gjithçka për të arritur objektivin, si dhe përligjur investimet e kryera nga presidenca e klubit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








