Kryeministri Edi Rama, bëri një tjetër shfaqje mediatike, pasi shkarkoi pa asnjë motiv, brenda 1 minute, të gjithë prefektët e vendit. Bëhet fjalë për 12 zyrtarë, të cilët pjesa më e madhe, kanë jo pak kontribute në shoqëri, por që kryeministri i ndëshkoi duke i lënë papunë. Mjekë, profesorë, sportistë, politikanë apo ish deputetët, ishin disa nga Prefektët e shkarkuar.
Të gjithë Prefektët vinin nga radhët e socialistëve, përveç atij të Shkodrës, i cili u emërua nga PD por ndryshoi qëndrim politik vitet e fundit duke iu bashkuar Partisë Socialiste. Me një të rënë lapsi, kryeministri Rama tashmë i ka nxjerrë në rrugë 12 Prefektët, ku duke nisur nga e enjtja, tashmë ata duhet të kërkojnë një punë të re.
Por kush janë 12 Prefektët e shkarkuar? Tpz.al sjell një profil të tyre:
Në Durrës, u shkarkua Emiljan Jani, i cili mbante prej 6 muajsh pozicionin e Prefektit të këtij qyteti. Jani ishte nga radhët e socialistëve, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore ai denoncoi Lëvizjen Socialiste për Integrim se po ushtronte presion ndaj votuesve. Ky heroizëm i Janit, mesa duket nuk i ka mjaftuar Edi Ramës, duke e lënë kështu të papunë. Më herët, Jani ka qënë sekretar pranë Federatës së Volejbollit në Durrës.
Në Shkodër, u shkarkua Prefekti më i vjetër, Paulin Radovani. Ai e mbante këtë detyrë që nga muaji tetor i 2013, i emëruar nga radhët e Partisë Demokratike. Megjithatë, me kalimin e kohës, Radovani ndryshoi qëndrim politik, pasi në zgjedhjet lokale të 2015, ai mbështeti publikisht kandidaten socialiste Keti Bazhdari. Më herët, Radovani ka qënë këshilllar i PD, në Bashkinë Shkodër.
Në Fier, u shkarkua Prefekti Vasil Bregu, i cili prej pak muajsh mbante këtë detyrë. Ai është një ish punonjës banke në këtë qytet, ndërsa në vitin 2015 shihej si pretendet kryesor për tu bërë kryetar i PS-së.
Në Korçë, u shkarkua Pandi Papando i cili u emërua më 22 maj të këtij viti. Më herët ai ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Spitalit të Korçës, ndërsa tani mesa duket do dalë në pension të parakohëshëm. Z. Papando vjen nga radhët e socialistëve, por gjatë kohës që ishte Drejtor i Spitalit Korçë, u regjistruan disa herë përplasje me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Në Berat, u shkarkua Valbona Zylyftari, e cila edhe kjo kishte pak muaj që ishte emëruar në këtë pozicion. Zylyftari ishte edhe Kryetare e PS-së në Berat si dhe drejtoresha e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”. Zylyftari ka qënë edhe anëtare e Këshillit Bashkiak, në Bashkinë e Beratit ndërsa tashmë nuk dihet se ardhmja e saj profesionale.
Në Dibër, u shkarkua Ardit Kaja nga pozicioni i Prefektit. Z. Kaja ka qënë më herët deputet i Partisë Socialiste, deri në vitin 2015. Më vonë ai ka mbajtur edhe pozicionin e Drejtorit i Inspektoriatit Ndërtimor, në Bashkinë e Tiranës, kur drejtohej nga Edi Rama. Në vitin 2011, ndaj Kajës u bë një atentat me armë zjarri në qendër të kryeqytetit. Ai u plagos në këmbë, ndërsa Kaja pretendoi se e kishin qëlluar për shkak të detyrës. Në vitin 2013, Kaja u pozicionua pranë LSI, për tu rikthyer me PS sërish në 2017.
Në Gjirokastër, u shkarkua Flamur Bime, i cili mbante pozicionin e Prefektit që nga nëntori 2015. Bime ka qënë më herët Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, ndërsa është vënë disa herë në qendër të akuzave për tolerim të ndërtimeve të paligjshme. Z. Bime u distancua nga Partia Socialiste, gjatë zgjedhjeve të 2017, pas një hatërmbetje me kryeministrin Rama, që nuk e vendosi në listën e deputetëve.
Në Tiranë, u shkarkua Admir Abrija, i cili zëvendësoi Prefektin Sadi Vorpsi pasi hyri në listën e deputetëve të PS. Para se të emërohej prefekt, Arbrija ka mbajtur pozicionin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Gjatë kësaj kohe emri i Admir Abrijas u përmend nga KLSH, pasi bashkë me zyrtarët e tjerë të lartë, përdorën një shumë parash nga buxheti i doganave për të përmirësuar gjuhën angleze. Më pas, Admir Abrija u zgjodh si administrator i Bashkisë së Tiranës për zonën e Farkës. Në të kaluarën, Z. Abrija, ka mbajtur poste drejtuese në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit
Në Elbasan, u shkarkua Ardit Demiri i cili e mbante këtë post prej pak muajsh. Z. Demiri është edhe kryetari i PS-së, në Elbasan ndërsa njihet për miqësinë e tij me deputetin socialist, Taulant Balla. Z. Demiri ka qënë më herët Drejtor i Zyrës së Punës në Elbasan, por mesa duket tashmë do t’i duhet të gjej një punë për vehten e tij.
Në Kukës, u shkarkua nga detyra si Prefekt, Liman Morina. Ai mban këtë post që prej qershorit të vitit 2015, kur dha dorëheqjen Safet Gjici pasi kandidoi për Kryetar i Bashkisë Kamëz. Z. Morina ka mbajtur postin e Kryetarit të Komunës Gjinaj, por pas reformës territoriale atij ju dha pozicioni i Prefektit. Gjatë fushatës zgjedhore të 2017, Morina është kallëzuar në Prokurorinë e rrethit Kukës, pasi dyshohej se kishte konsumuar në zyrën e tij, veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shit-blerjes së votës.
Në Lezhë, u shkarkua Eduart Ndreca, si Prefekt i këtij qyteti, post ky që e mbante që prej shkurtit 2016. Ndreca vinte nën radhët e Partisë Socialiste, pasi më herët kishte mbajtur postin e kreut të kësaj force politike për qytetin e Lezhës. Më herët, Ndreca ka qënë pedagog i histori-gjeografisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Meqënëse është në moshë të re, Ndreca ka kohë sërish për tiu rikthyer profesionit të pedagogut, pasi partia e la pa punë.
Në Vlorë, u shkarkua Etjona Hoxha, e cila ka qënë Prefekte që prej marsit 2014. Znj. Hoxha do të mbahet mend për firmën që dha për koncesionin e Parkimit në Vlorë, por që e mohoi publikisht. Firma e saj u bë publike, por Hoxha nuk kërkoi ndjesë për mashtrimin publik. Ndërkohë në zgjedhjet e 2017, Hoxha u mërzit pasi u vendos e 9-ta në listën e PS, dhe për këtë kërkoi dorëheqjen si kandidate për deputete/tpz.al









