Nga Flamur Golemi
Per super skuadren time
Me punonjësit e bashkisë për t’i falënderuar për gjithçka kanë bërë e po bëjnë në shërbim të njerëzve dhe për të çuar përpara punët në çdo lagje e fshat të Gjirokastrës. Çfarë kemi arritur deri më tani është në sajë të punës që ju keni bërë. Nuk e them këtë për formalizëm e as për t’ju përkedhelur sedrën jo e jo, por realisht unë besoj te puna juaj, unë vlerësoj çdo përpjekje që keni bërë e po bëni jo thjesht për të përmbushur detyrat tuaja funksionale, por për përkushtimin e madh që tregoni përditë në shërbim të njerëzve.
Asnjëherë suksesi nuk mund të jetë vetëm i imi. Pas çdo pune jeni ju, në çdo arritje keni kontributin tuaj që unë e çmoj shumë edhe pse jo me të gjithë më ka rënë rasti të flas. Vijimësisht jam përpjekur t’i gjej punës njeriun e të ndërtoj një skuadër që funksionon. Fakti që kemi bërë kaq shumë punë të mira së bashku në kaq pak kohë, do të thotë që ia kemi dalë dhe skuadra jonë është sot një histori suksesi.
Si kushdo tjetër as unë nuk jam pa huqe apo të meta, as nuk mohoj që ka pasur raste kur ju kam privuar nga koha e pushimit apo ju kam ngarkuar më tepër se ç’duhet me punë. Lutem ma pranoni ndjesën në këtë pikë, bashkë me shpjegimin se synimi ka qenë dhe është të mos ndalemi asnjëherë, por të bëjmë gjithmonë më shumë për njerëzit dhe të çojmë përpara punët. Koha është flori dhe ne s’kemi kohë për të humbur, Gjirokastra meriton gjithmonë më shumë, Gjirokastra pret më të mirën nga ne.
Ju jam shumë mirënjohës për përkushtimin tuaj këto 4 vite që kemi punuar bashkë. Besimplotë se do të vazhdojmë të jemi një skuadër plot energji dhe e motivuar për t’i dhënë Gjirokastrës më të mirën. Qëllimi ynë i përbashkët është ta kthejmë Gjirokastrën në një alternativë të parë për të jetuar e për të pasur këtu një të ardhme të sigurt. Të punojmë së bashku që pasardhësit tanë të jenë po aq krenarë për çfarë ne kemi bërë njësoj siç jemi ne sot krenarë për paraardhësit tanë për këtë qytet magjik që na kanë lënë trashëgimi. Më e mira është ende përpara! Faleminderit me zemër