KQZ-ja është e ndarë për sa i përket dekretit të Metës për të shtyrë zgjedhjet. Kryetari Klement Zguri tha se KQZ-ja zbaton dekretet e Presidentit. Nga ana tjetër n/kryetari Denar Biba, përfaqësues i mazhorancës tha se dekreti i Metës është “nul” pasi Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet paafat. Ai tha se ne (KQZ) do vazhdojë me administrin e procesit zgjedhor.
Denar Biba: “Nuk kam dashur ta nismin kështu këtë mbledhje, por ndoshta meriton të thuhet diçka në lidhje me dekretin. Ne vendosëm ta shtynim me 2 orë për tu njohur me brendinë e dekretit. Presidenti Meta më 5 nëntor 2018 nxorri dekretin për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Sipas nenit 92 pika gj presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve.
Sot, vetëm 20 ditë nga data e zgjedhjeve, Presidenti i Republikës vendosi shfuqizimin e dekretit duke anuluar 30 qershorin. Ky dekret i dytë që shfuqizon dekretin e parë është një vendim i pavlefshëm. Presidenti ka kompetencë të vendosë një datë tjetër brenda afatit zgjedhor, por jo të vendosë një datë përtej datës që është vendosur, apo si sot që nuk vendosi asnjë datë. Vendimi është i pavlefshëm pasi e la vendin pa datë zgjedhjesh. KQZ ka detyrimin të vazhdojë punën për garantimin e zgjedhjeve të 30 qershorit”.
Fjalën e Denar Bibës e mbështetën dhe dy anëtare të KQZ-së, Rezarta Bitri dhe Edlira Jorgaqi.
Bitri: “Nuk mund të shtyhen zgjedhjet në infinit. Duhet të kishte një datë për zgjedhje të reja. Është e qartë se sistemi ynë nuk ia jep këtë kompetencë Presidentit. As kushtetuta dhe as ligji elektoral nuk parashikojnë një kompetencë të tillë të presidentit. Jam tërësisht e bindur që ky është akt nul dhe nuk na pengon për të vijuar më tej organizmin e zgjedhjeve të 30 qershorit”.
Jorgaqi: Akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Është cenim i parimit të ligjshmërisë. Akti është absolutisht i pavlefshëm edhe kur organi ushtron një kompetencë që ligji nuk ia lejon. Janë ngritur KZAZ, janë prezantuar kandidatët, janë tenderuar fondet publike. Ato nuk mund të flaken tutje”.