Forcat Operacionale kanë ngritur në këmbë të gjitha burgjet e Sigurisë së Lartë në vendin tonë për kontrolle. Kontrollet po bëhen, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e sotme në Peqin, ku një i burgosur vrau me armë një të dënuar dhe plagosi një tjetër.
Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, ka qëlluar me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi këtë të premte.
Mjaçaj është konfliktuar me dy të dënuar të tjerë, Arben Lleshin dhe Indrit Shaqjen. Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe Renea, që kanë vënë nën kontroll situatën.