Një person ka mbetur i vdekur në një atentat të ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën “Gjergj Araniti” në Vlorë. Sipas të dhënave të para, viktima ishte nën drejtimin e një makine tip “Ford” me targa italiane kur është qëlluar me armë zjarri. Drejt makinës është qëlluar me breshëri, duke lënë të vdekur drejtuesin e mjetit. Mësohet se viktima është biznesmeni Vasil Dervishaj, pronar i një lokali në qytetin bregdetar. Më poshtë informacioni paraprak i dhënë nga policia e Vlorës
Më datë 04.06.2018, në lagjen ”Pavarësia” tek ish-kombinati i peshkut, është vrarë me armë zjarri shtetasi V.D., 29 vjeç, banues në Vlorë. Janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dhe për identifikimin e kapjen e autorit.











