Barcelonës i duhej një mrekulli, por rezultoi vetëm një mirazh, në fund ekipi i Hansi Flick fiton 2-1 në Madrid, por kaq nuk mjaftoi, me Atletico-n që “fluturon” në gjysmëfinalen e Champions League. Kjo ishte një sfidë për tifozë me zemër të fortë, në një kohë kur Barça tronditi “Metropolitano” që në start, ku Lamine Yamal i mjaftuan vetëm 4 minuta lojë për të tundur rrjetën, me yllin spanjoll që përfitoi nga një gafë e Atletico-s në prapavijë.
Barça nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 24-ët, Dani Olmo futi një top perfekt brenda në zonë, aty ku Ferran Torres me një goditje të saktë dyfishoi shifrat. Diego Simeone dhe tifozët në stadium përjetuan makthe, por për të rikthyer shpresën mendoi Lookman, me sulmuesin nigerian që finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë të Atletico-s.
Ashtu si në pjesën e parë, edhe në fraksionin e dytë, Barça e nis me gol, me Ferran Torres që realizoi një tjetër gol shumë të bukur, por me ndihmën e sistemit VAR gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë lojë. Ashtu si në sfidën e parë, edhe në ndeshjen e kthimit, thuajse në të njëjtën mënyrë, Barcelona mbeti me 10-të lojtarë, me Eric Garcia që ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Sorloth. Hansi Flick spostoi ekipin e tij në gjysmëfushën e Atletico-s në përpjekje për të gjetur golin e tretë dhe të shpresës, por Simone ngriti një “mur” të pakalueshëm duke fituar në këtë mënyrë një biletë për në fazën gjysmëfinale të Champions League, aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Arsenal-Sporting.
Si gjithnjë, të përditshmet spanjolle u ndanë në dy kampe, me të mediat pranë Atleticos që e konsiderojnë këtë një fitore ekipe, ndërsa Mundo dhe Sport, mediat pranë Barçës e shohin si një padrejtësi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








