Vendimi i bojkotit të zgjedhjeve është e vetmja zgjidhje e menduar prej banorëve të fshatit Topojan në Këlcyrë, në shenjë proteste për gjithë harresën e shtetit ndaj tyre në shumë vite. Edhe pse një nga fshatrat më të pasur me burime ujore, Topojani vuan sot mungesën e tij.
Ngërçi tjetër që rëndon çdo ditë e më shumë jetën e banorëve janë 9 km rrugë që kurrë nuk janë shtruar në 26 vite demokraci. Udhëtimi në rrugën që lidh tre fshatra zgjat së paku 1 orë e 30 minuta në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm.
Braktisja e zonave malore është kthyer prej vitesh një fenomen i zakonshëm. Një pjesë e mirë e banorëve të këtyre fshatrave detyrohen të largohen prej banesave të tyre përkundër dëshirës për të qëndruar, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe izolimit të tejskajshëm të këtyre zonave, pasuria natyrore e të cilëve është e paçmuar dhe krejtësisht e pavlerësuar./BW