Kandidati i PD-së së Sali Berishës në Gjirokastër, Dorjan Lani, prej dy ditësh është shumë i shqetësuar për atë që ai e quan përdorim të fëmijëve në fushatë nga rivali i tij i PS-së, Flamur Golemi. Ky i fundit publikoi foto me disa nxënës së shkollës “Koto Hoxhi” të cilët i kishin shkuar në zyrë në kuadër të orëve mësimore që ata kanë për vizitat në institucionet publike. Kaq mjaftoi që Lani të bënte dje një reagim dhe një tjetër sot. Ka dy elementë shumë interesantë në këtë debat shterpë që përpiqet të ngrejë Lani.
Duket sikur kanë mbaruar të gjitha çështjet e tjera, të gjitha problemet e tjera dhe shkelja më e madhe që po bën Flamur Golemi është përdorimi i fëmijëve në fushatë. Edhe nëse është përdorim për fushatë, ndonëse Flamur Golemi nuk iu shkoi në shkollë, por ishte në zyrën e tij, diçka e tillë në Shqipëri është normalitet. E bëjnë të gjithë këtë gjë si të mos ketë fushatë si të mos ketë. Ndodh edhe në vende të tjera të botës. Duket sikur Dorjan Lanit i janë sosur gjithë temat e tjera dhe tani ka luksin të bëjë një debat sikur të ishim në ndonjë Zvicër, Suedi apo kushedi se ku gjetkë. Veç kësaj, perlë më vete ishte reagimi i sotëm i Dorjan Lanit.
“Kam shprehur hapur zhgënjimin me rivalin tim politik…”, kjo është mbase fjalia më e “ashpër” e Dorjan Lanit në reagimin e tij, ku nuk guxon t’i përmendë as emrin Flamur Golemit. Të tjerat pastaj, janë aq të buta sikur edhe vetë Golemi t’i kishte shkruar me dorën e tij për veten e vet s’do ishte treguar kaq i matur. Reagim fiks sikur të ishim në një fushatë elektorale në Zvicër apo Suedi, jo në një realitet politik shqiptar. Reagim që s’ka lidhje fare me një kandidat të opozitës që kërkon të marrë pushtetin. Edhe një OJF po të reagonte do të ishte më e ashpër me Flamur Golemin sesa është Dorjan Lani.
Aman mos na hapni barkun me këto idetë që Dorjani është model tjetër, që është qytetar dhe s’mund të bëjë reagime jashtë staturës së tij. Mos thoni që Dorjani është shumë xhentil prandaj s’mund ta trashë zërin përballë kandidatit të pushtetit. Thjesht Dorjani ka frikë, jo në kuptimin e parë të fjalës se po e kërcënon apo e rrezikon njeri, por atij i mungon guximi, s’ka vetëbesim dhe aspak shkëndija lidershipi për ta çuar përpara këtë betejë së cilës i dihet fundi. Lani ka hyrë në këtë garë thjesht për të shënuar emrin si kandidat. Kaq! Dorjan, pak më i ashpër mor burrë se nuk mërzitet as vetë Flamur Golemi po e godite pak më fortë. Përkundrazi me reagime të tilla si në Zvicër bëhesh komplet qesharak. Më mirë mos fol fare sesa të nxjerrësh reagime si ky këtu më poshtë e të gajasësh miletin.
Unë dëshiroj të shpreh hapur dhe publikisht zhgënjimin dhe indinjatën time ndaj rivalit tim politik për përdorimin e fotografive të fëmijëve pa lejen e tyre. Kjo nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të fëmijëve, por gjithashtu një shkelje e etikës politike dhe një abuzim me pushtetin dhe autoritetin që ai përfaqëson. Unë nuk mund të kaloj pa kritikuar një veprim të tillë të papranueshëm dhe të paetiketuar, dhe kam përgjegjësinë morale dhe juridike për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për të garantuar që një gjë e tillë të mos ndodhe më. Si kandidat i kërkoj publikisht rivalit tim të heqë menjëherë fotografitët e fëmijëve nga faqja e tij publike dhe të kërkoj ndjesë publike për përdorimin e tyre pa leje. Njëkohësisht, kërkoj nga drejtuesit e arsimit vendor të ndërmarrin hapa konkrete për të mbrojtur nxënësit tanë nga ndikimi politik dhe për të siguruar një mjedis të ndershëm dhe të paanshëm në shkolla. Këto masa do të jenë në interesin e fëmijëve dhe të ardhmërisë së vendit tonë.