Kristo Mërtiri, një nga gazetarët profesionist që prej gjysmë shekulli nuk rresht së shkruari për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dëshmorët, veteranët e saj dhe pasardhësit, është nderuar nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ me titullin e lartë “Nderi i Organizatës”.
Ceremonia e veçantë e organizuar dje, më 6 Dhjetor 2023 në Tiranë, ka bërë bashkë disa nga figurat më të larta dhe anëtarët e kësaj organizate, të cilët kanë vlerësuar kontributin e Kristo Mërtirit në shtypin e shkruar, në lartësimin e veprimtarisë së LANÇ dhe atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë.
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, i ka dhënë titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ” gazetarit që prej 50 vitesh shkruan për veprimtarinë e lëvizjes së LANÇ.
“Për kontributin e veçantë që keni dhënë e jepni si Pasardhës i Veteranit në OVL të LANÇ në njësinë administrative nr.2, mbroni me shumë pasion vlerat madhore të LANÇ, duke përdorur talentin si gazetar në faqet e shtypit publik.
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, ka besimin e patundur, se edhe në të ardhmen, ju do të mbroni e transmetoni vlerat e Lavdishme të LANÇ tek brezat e rinj, ato vlera që janë mëshiruar më së miri, në kontributin që keni dhënë ju dhe familja juaj në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare”, është motivacioni i nderimit.
Një nderim i veçantë për gazetarin, por edhe për vetë Organizatën e LANÇ, sepse Kristo Mërtiri mban dhe ka lartësuar emrin e gjyshit të tij “Dëshmor i Atdheut”, Kristo Sotir Mërtiri.
Biri i fshatit Peshtan në Tepelenë u ekzekutua nga nazistët buzë lumit Vjosa dhe u hodh në greminë, në vendin ku tashmë është ngritur memoriali i përjetësisë që ju flet brezave për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Pena e nipit të tij, Kristo Mërtiri ka shkruar me mijëra artikuj në faqet e shtypit këto 50 vite për vlerat madhore të LANÇ, dëshmorët që e deshën Shqipërinë e lirë më shumë se veten, veteranët dhe pasardhësit e tyre, një prej të cilëve është dhe vetë gazetari.