Partia Socialiste ka nisur të mendojë për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2019, të cilat mes të tjerave do të jenë edhe një tregues i mirë për partinë që drejton e vetme qeverinë. Për këtë arsye, brenda PS-së kanë nisur të kryhen anketime, ndërsa nuk mungojnë as zërat e parë me kandidatët e mundshëm për kryebashkiakë. E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun, gazetarja e politikës në “Gazetën Shqiptare”, Darina Tanushi, zbuloi disa nga emrat që përfliten brenda PS-së si kandidatë për kryetarë Bashkie.
Një ndër këto emra është edhe ai i Senida Mesit, aktualisht zv.kryeministre, e cila mund të jetë një kandidaturë e mundshme për të garuar në Shkodër përballë Voltana Ademit të PD-së. Por pas nuk mbetet as Bashkia Gjirokastër, një bastion i vjetër i socialistëve, të cilin duan ta rifitojnë duke qenë se në zgjedhjet e fundit kjo bashki iu la LSI në bazë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës.
Ndaj sipas gazetares Tanushi, për Bashkinë Gjirokastër po mendohet gjithnjë e më tepër si kandidat potencial, deputeti Bledi Çuçi. Sipas Tanushit, ish-ministri ka arritur të fitojë mjaft popullaritet në Gjirokastër, qark nga i cili doli deputet në zgjedhjet e fundit.









