Pas tetë vite e gjysmë, 334 ndeshjeve, lojtari i 4-ët me më shumë ndeshje në historinë e Atalantës, Berat Gjimshiti largohet nga Bergamo për të nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite. Qendërmbrojtësi kuqezi transferohet tek ekipi i Al-Diriyah me titull definitiv për 3 milionë euro duke firmosur një kontratë 2-vjeçare. Në këtë periudhë, Gjimshiti u kthye në një lider absolut tek Atalanta, një nga lojtarët më të vlerësuar në Serie A. Gjimshiti nuk largohet duar bosh pasi bëri historinë duke fituar për herë të parë një trofe evropian si Europa League.
Pas prezantimit zyrtar tek Al-Diriyah, Gjimshiti reagoi me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale duke shprehur të gjithë mirënjohjen për ekipin e Atalantës: “Sot nis një kapitull të ri, por ka disa vende që nuk harrohen kurrë. Mund të largohesh nga një skuadër, mund të largohesh nga një qytet, por jo nga shtëpia. Erdha në Bergamo 10 vite më parë si një lojtar i ri me ëndrra dhe më shumë dëshirë për të treguar vlerat e mia. Sot largohem nga ky vend që më dha më shumë se sa futbolli. Këtu u rrit familja ime, Bergamo u bë shtëpia ime, ndërsa Atalanta më shumë se sa një ekip. Faleminderit për gjithçka Bergamo, faleminderit Atalanta, për gjithnjë në zemrën time”, shkroi ndër të tjera Gjimshiti në statusin e tij.
Pas prezantimit zyrtar, Berat Gjimshiti u vendos menjëherë në dispozicion të ekipit duke zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore.






