Pauza dy javore i ka shërbyer Luftëtarit për të rikuperuar energjitë por mbi të gjitha për të rigjetur lojtarët e dëmtuar. Lajmi më i mirë në Gjirokastër është rikuperimi i fantazistit Eduart Rroca, i vetmi i mbijetuar nga treshja e famshme e dy sezoneve të fundit. Numri 10 ka lënë pas dëmtimin që e pengoi për një periudhë të gjatë të aktivizohet, pasi 25-vjeçari për herë të fundit ka luajtur më 9 maj në sfidën e javës së 33-të ndaj Partizanit.
Më shumë se 5 muaj është një periudhë e gjatë me skuadrën që e ka ndjerë mungesën e tij në Europë por edhe në këtë start të kampionatit. Edhe pse është bashkuar me grupin madje duke u aktivizuar për disa minuta në testin miqësor me Bylisin, Rroca nuk është ende në gjendje të luajë për 90 minuta të plota. Për këtë arsye prezenca e tij që nga starti është në dyshim edhe pse është e sigurtë që për fantazistin do të ketë minuta në dispozicion në një sfidë delikate ndaj kryesuesve të kampioantit.
Gjithashtu me grupin është bashkuar edhe Albano Aleksi, mesfushori i cili ka tejkaluar çdo parashikim falë shpirtit të tij luftarak. Megjithatë prezenca e tij në ndeshje zyrtare pritet të vijë pas dy javësh në përballjen shtëpiake me Laçin. Ndërkohë që deri në fund të vitit trajneri Gentjan Mezani do të vijojë të bëjë pa mbrojtësin Ivan Jakovlevic. Pauza dy javore i ka shërbyer gjithashtu skaudrës për të rimarë forcat pasi në përballjen me Skënderbeun u pa një skuadër me limite në aspektin fizik.