Në muajin nëntor të vitit të shkuar Bashkia Gjirokastër tenderoi 145 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e sistemit të ngrohjes në shkollat 9-vjeçare ‘Koto Hoxhi’, ‘Andon Zako Cajupi’ dhe ‘Urani Rumbo’. Investimi përfundoi në janar, ndonëse e udhës do të ishte që të ishte bërë më herët, në mënyrë që nxënësit të kishin ngrohje gjatë nëntorit dhe dhjetorit. Por përtej kësaj, ky investim ka hapur një problem tjetër. Nga cilësia e keqe e punimeve, në tavanet dhe muret e disa klasave të shkollës ‘Koto Hoxhi’ ka lagështi. Siç shihet në fotot që sjell ArgjiroLajm.net fëmijët janë të detyruar të bëjnë mësim mes këtyre kushteve skandaloze. Pa marrë rolin e ekspertëve, dyshimet janë që ky investim të mos jetë kryer siç duhet. Nuk ka kuptim që fëmijëve t’u çosh ngrohjen ndërkohë që janë mes një klase me lagështi. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë që ka ndodhur.
©ArgjiroLajm.net