Sot Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatët që do të marrin pjesë në primare për të përcaktuar se kush do të jenë emrat që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në total janë 26 bashki ku do të zhvillohen primaret nga 61 që ka venid. Mes tyre mungon Gjirokastra dhe bashki të tjera të qarkut. S’ka ndonjë arsye shumë të veçantë përveç asaj që dihet prej kohësh. PD është në një krizë të thellë dhe askush nuk i qaset, askush nuk pranon të hyjë në një garë me gjasa minimale për të fituar.
Të paktën për Gjirokastrën. Në 9 vite pushtet të socialistëve Partia Demokratike nuk ka arritur dot të përtërihet dhe të hapet drejt emrave të rinj. Dështimi në Gjirokastër dhe në bashki të tjera i primareve konfirmon pafuqinë e opozitës për të hyrë në garë pavarësisht se ka përballë një qeverisje 9-vjeçare. Ditë më parë ne hodhëm disa emra si kandidatë të mundshëm për primaret në Gjirokastër, por përmbyllja e këtij procesi tregon se askush prej tyre nuk gjeti kurajën të provonte garën së pari brenda partisë dhe më pas në 14 maj përballë Flamur Golemit. Me sa duket kanë zgjedhur ta bëjnë opozitën në Facebook. ©argjiroja.net