Një magazinë që përdorej për aktivitetin e lyerjes së automjeteve është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes në Gjirokastër, në rrugën pranë Fushës së Vjetër, pas subjektit “Autopasion”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër, sinjalizimi për zjarrin është marrë në orën 23:29, ndërsa në vendngjarje janë nisur menjëherë forcat zjarrfikëse.
Me mbërritjen në objekt, efektivët kanë konstatuar se flakët kishin përfshirë magazinën dhe paraqisnin rrezik serioz për t’u përhapur drejt dy pallateve të banimit që ndodheshin në afërsi.
Për përballimin e situatës u angazhuan katër automjete zjarrfikëse, një autobot dhe i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës. Ndërhyrja u përqendrua në izolimin e vatrës dhe krijimin e një brezi mbrojtës për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt ndërtesave të banimit dhe objekteve përreth.
Pas një operacioni intensiv dhe të koordinuar, zjarri u izolua dhe u shua plotësisht.
Nga ngjarja u dogj vetëm magazina, ndërsa ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur mbrojtjen e dy pallateve të banimit, automjeteve të parkuara në afërsi dhe shmangien e çdo rreziku për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesat dhe automjetet përreth.
Ndërkohë, organet ligjzbatuese po vijojnë punën për dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të rënies së zjarrit.









