Bashkia Gjirokastër është bërë pjesë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajonin. Lajmin e njofton kryebashkiaku Flamur Golemi përmes një mesazhi në faqen e tij në Facebook. Golemi thotë se ky union është një formë e re bashkëpunimi në hapësirën mbarëshqiptare mes njësive të qeverisjes vendore.
Mesazhi i plotë i Golemit.
Gjirokastra bëhet pjesë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, një tjetër iniciativë domethënëse për zgjerimin e bashkëpunimit në hapësirën mbarëshqiptare. Secila bashki në këtë organizim sjell një vlerë të shtuar përmes pasurive natyrore e kulturore, zakoneve e dokeve dhe potencialeve për t’u zhvilluar më tej. Bashkimi bën fuqinë, për ne shqiptarët ka marrë kuptim që nga koha kur Skënderbeu mblodhi në Krujë prijësat e fiseve të ndryshme. Kjo vlen edhe në ditët e sotme ndonëse në një formë tjetër. Ne duhet të jemi bashkë për t’u zhvilluar më shpejt, për të përmirësuar jetën e komuniteteve tona dhe për të çuar përpara projekte e investime që forcojnë ekonominë dhe i bëjnë njerëzit ta shohin këtu të ardhmen e tyre. Sektorët si turizmi, kultura, inovacioni apo arsimi janë fusha ku ne mund të mësojmë nga eksperienca e njëri-tjetrit, të mësojmë nga sukseset e njëri-tjetrit dhe të nxjerrim mësime pse jo nga dështimet. Një falënderim i posaçëm për këtë iniciativë i shkon kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si promotori kryesor i këtij bashkëpunimi të ri që po krijojmë me njësitë vendore në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. 🤝