Në përfundim të mandatit të tij në Shqipëri, ambasadori italian, Fabrizio Bucci, është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”. Titulli i është dhënë sot gjatë një ceremonie nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe ministrja Mirela Kumbaro.
“Vlerësuam sot me titullin “Qytetar Nderi” një mik të shqiptarëve dhe Gjirokastrës në veçanti, ambasadorin e Italisë, Fabrizio Bucci. Në përmbyllje të misionit të tij diplomatik në vendin tonë, ky titull simbolik e plotësisht i merituar jam i bindur që do të jetë për të një kartolinë e bukur nga Shqipëria. Si të gjithë të huajt e tjerë, s’ka dyshim që edhe Fabrizio do të rikthehet sërish në Gjirokastër. Faleminderit për mbështetjen, miqësinë dhe promovimin e vijueshëm që i keni bërë Gjirokastrës”, shkruan Golemi në faqen e tij në Facebook.
Mësohet se detyra e radhës e Fabrizio Buccit pas largimit nga Shqipëria është ajo e ambasadorit të Italisë në Gjermani. ©Argjiroja.net