3 shqiptarë, një grek dhe një egjiptian u vunë në pranga nga policia greke të akuzuar se ishin pjesë e një bande që kishin terrorizuar pronarët e kafeneve dhe dyqaneve në Athinë duke u vënë atyre gjoba të majme mujore.
“Protothema” ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë kur ata hynin në lokale për të shantazhuar pronarët që të bënin pagesat pasi në këtë mënyrë do të kishin “mbrojtjen” e tyre.
Pamjet tregojnë anëtarët e bandës me fytyrat e tyre të mbuluara që hyjnë në lokalet e qendrës së kryeqytetit grek. Aty ata linin një copë letër me numrin e një celulari dhe u kërkonin pronarëve t’u telefononin për të rënë dakord për “tarifën” që do t’u jepnin për t’u siguruar atyre mbrojtje. Gazeta greke shkruan se organizata vepronte kryesisht në zonat Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas.
Veprimtaria e tyre u ndërpre nga oficerët e policisë që vunë në pranga 5 personat. Hetimet nisën në fillim të shkurtit, kur informacioni mbërriti tek autoritetet se një grup prej 5-6 personash trupmëdhenj po shantazhonin pronarët e lokaleve dhe dyqaneve. Hetimi kulmoi mbrëmjen e 12 shkurtit, kur oficerët e policisë pikasën disa persona me fytyrë të mbuluar duke lëvizur në zonën e Kato Patisias.
Ata ndaluan një person të dyshimtë jashtë një farmacie të cilin vendosën ta kontrollojnë. Në të njëjtën kohë, brenda të njëjtit dyqan u gjetën 4 persona, dy prej të cilëve ishin “të njohur” për autoritetet për të kaluarën kriminale dhe përfshirjen e tyre në lokalet e natës. Personat tentuan të largohen, por u vunë në pranga. 2 nga të arrestuarit kanë pranuar aktet e zhvatjes.