Mësuesit e papunë që duan të futen në listë pritjeje për vendet vakante, që do të hapen në arsim këtë fillimshtatori, kanë pesë ditë afat për të aplikuar, duke filluar nga sot.
“Mësues për Shqipërinë” do të jetë i hapur vetëm për kandidatët që kaluan fazën e parë të konkurrimit dhe do t’i nënshtrohen fazës së dytë dhe më të rëndësishme, testimit të informatizuar. Para se të futen në portal, kandidatët për punë duhet të pajisen me formularin që lejon aplikimet për fazën e dytë, pjesëmarrjen në testimin digjital. Ky i fundit do të zhvillohet pas datës 10 korrik, sipas një kalendari datash në bazë të profileve të mësuesisë.
Me t’u bërë pjesë e portalit, kandidatët për mësues futen në sistemin e informatizuar, me të cilin do të mbajnë koherencë për vijimësinë e punësimit. Nëse më parë njoftoheshin nga drejtoritë arsimore për radhën për t’u punësuar, tashmë është direkt portali që menaxhohet nga Rrjeti Akademik Shqiptar, që i lajmëron për hapjen e një vendi vakant.
REGJISTRIMET NË PORTAL
Si ata që e kanë për herë të parë, edhe ata që duan të bartin pikët, për t’u bërë pjesë e garës së sivjetme për vendet e lira që do të hapen në mësuesi duhet të aplikojnë në portal gjatë kësaj jave. Për t’u regjistruar në “Mësues për Shqipërinë”, mjafton të klikoni në faqen ballore dhe të shënoni gjeneralitetet e përgjithshme, t’i bashkëngjisni formularin e pranimit, profilin e mësuesisë dhe tri vendet ku do të donit të punësoheshit.
Në përfundim të procesit, secilit aplikant i shfaqet një tabelë në të cilën ndodhet dhe një numër identifikimi, i cili nuk duhet harruar, pasi do të përdoret për të loguar herët e tjera. Por, edhe nëse plotësohet diçka gabim herën e parë, nuk do të ketë penalizime. Kandidatët kanë kohë të bëjnë modifikime deri në orën e fundit të datës 28 qershor, kur mbyllen aplikimet. Në adresën personale, çdokush ka një opsion “Aplikimet e mia”, përmes të cilit mund të modifikojë preferencat e punësimit.
Po përmes portalit, te këndi i tyre, mësuesit mund të kontrollojnë pas përfundimit të testimit edhe renditjen e tyre, duke përllogaritur shanset për t’u punësuar. Aplikuesit e vitit të kaluar, mund të regjistrohen me të njëjtin nr.personal dhe e-mail për të hedhur preferencat e sivjetme.









