Në disa lagje në Gjirokastër, rrezikohen qindra banorë për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Banorët thonë se nga erozioni shumë prej banesave kanë pësuar dëme, dhe rrezikojnë shembjen.
Në qytetin e Gjirokastrës, studimet gjeologjike kanë evidentuar disa lagje ne te cilat konstatohen shkarje te masiveve të dherave.
Më e rrezikuar dhe që ka shkaktuar dëme tek banorët është lagjia “Kodra e Shtufit” ku pas viteve 90 janë bërë shumë ndërtime të reja pa respektuar asnjë kriter për sigurinë e objektit.
Sot banorët apelojnë për ndihmë.
Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile në bashkinë e Gjirokastrës, Fatri Brahimi, pohon se dokumentacioni është dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë.
“Në bazë të ligjit të emergjencave civile duke e trajtuar sepse shuma e cila është përcaktuar për të dëmshpërblyer apo për të rehabilituar zonat nuk është në kapacitet e bashkisë, dokumentacioni i është përcjellë në drejtorinë e emergjencave civile”, thote per Ora News Fatri Brahimi.
Lagjet “Kodra e Shtufit”, “Manalat”, “Dunavat” dhe lagjia “Punëtore” janë edhe disa prej zonave ku erozioni ka shkaktuar rrëshqitje masive të tokës, dhe ku rrezikohen qindra banesa.