Origjina e emrit: Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Fillimet e qytetit mendohet të jenë pas rënies se Adrianopolit. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të qytetit.
Një legjendë thotë që gjatë rrethimit të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj.
Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë” dhe mori emrin qyteti.
Por ky version është i pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman.
Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu.
Një shpjegim i tretë lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.
Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër.
Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga qeveria e Zogut, e cila me pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë në burg.
Objektet kryesore: Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet brenda në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
1963: Shpallet Qytet-Muze
2005: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO.
Aktualisht ka: 25 mijë banorë. (Census i vitit 2011)