Moderatorja televizive Luana Vjollca ka rrëfyer tmerrin e përjetuar nga ndjekja e më pas edhe përleshja e fansit të fiksuar pas saj me shokun e saj Krenar Çoçaj.
Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë ndaj Besmir Lilës, 32-vjeçarit të akuzuar për “përndjekje” të moderatores televizive Luana Vjollca. Vendimi në fjalë, i shpallur më 19.05.2017, la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj Lilës në Shkallën e Parë në prill të këtij viti.
Përmbajtja e vendimit, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama” nxjerr në dritë historinë e plotë të fansit të “fiksuar” për të pasur një lidhje dashurie me moderatoren Vjollca.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimin e këtij rasti. Dosja në ngarkim të Besmir Lilës, me origjinë nga Tepelena, por që jeton në Tiranë, është depozituar në gjykatën e kryeqytetit, ku ai është dërguar si i pandehur për veprat penale të “përndjekjes”, “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”. Gjykata e Tiranës ka zhvilluar vetëm një seancë të këtij procesi.
HISTORIA
Sipas materialit kallëzues, me datë 12 prill 2017, rreth orës 18:40 në Tiranë, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazën e Re, një patrullë policie ka konstatuar dy persona që po konfliktoheshin fizikisht, ku menjëherë sapo kanë parë patrullën që po afrohej drejt tyre, këta persona janë ndarë dhe janë futur secili në mjetin e vet. Nga punonjësit e policisë është bërë bllokimi i të dy këtyre personave, ku njëri prej tyre është identifikuar si shtetasi Besmir Lila dhe qëndronte në një mjet tip “Fiat Punto”, ku nga kontrolli i bërë është konstatuar se poshtë sediljes së parë të pasagjerit gjendej një çantë. Brenda saj gjendej një armë tip pistoletë me grykë të gjerë dhe ngjyrë të verdhë. Ndërsa personi tjetër, që është identifikuar si shtetasi Krenar Çoçaj, qëndronte në një mjet “Range Rover”, ku ishte në shoqërinë e shtetases Luana Vjollca. Nga patrulla e policisë është bërë shoqërimi në Polici i këtyre shtetasve.
“KERKOI TA PUTHTE”
Në ambientet e Policisë, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, shtetasja Luana Vjollca ka paraqitur kallëzim penal kundër personit të shoqëruar në Polici, i cili pak përpara ishte konfliktuar me shtetasin Krenar Çoçaj, me të cilin, kallëzuesja ishte e shoqëruar. Sipas kallëzueses, e cila është pyetur nga oficeri i Policisë Gjyqësore edhe si person që ka dijeni për veprën penale, ajo është moderatore në televizionin “Top Channel” dhe përpara 4 muajve, ndërsa po zhvillohej koncerti i Vitit të Ri, asaj i është afruar një person. Ai i ka dhuruar një tufë me lule, ndërsa duke u dridhur, i ka kërkuar ta takonte ndonjë ditë, apo ta puthte, gjë e cila e ka bezdisur, por edhe njëkohësisht trembur, pasi dukej si një person me probleme.
PERNDJEKJA
Më tej, sipas kësaj shtetaseje, nga ky moment dhe përgjatë gjithë periudhës në vijim, në adresën e saj në rrjetin social “Instagram” ka marrë pa fund komente nga ky shtetas, i cili në këtë rrjet identifikohej me emrin “Besi_11…”, komente të cilat ishin vulgare, të pista dhe fyese për të, të cilave ajo në asnjë rast nuk u është përgjigjur. Sipas kallëzueses, nga komentet dhe nga ato çfarë ky person shkruante, ka kuptuar se ai i dinte shumë mirë lëvizjet e saj, kur ajo dilte nga shtëpia, me çfarë lëvizte, ku shkonte etj., çka do të thoshte se ky person e ndiqte në çdo moment, gjë që e ka frikësuar, ndërsa ai i çonte edhe foto që vetëm një pervers apo psikopat mund t’i bënte. Në vijim, sipas deklarueses, kjo situatë është bërë shqetësuese për të, ndërsa shqetësimin e saj ua ka treguar dhe personave të afërt, por ka hezituar të paraqitet në polici, pasi kjo gjë do të bëhej publike. Ajo ka shpresuar se kjo situatë do të përfundonte dhe personi do të hiqte dorë nga përndjekja e saj. Por, sipas kallëzueses, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, ndërsa atë ditë kishte ndodhur diçka që e kishte kaluar cakun.
TMERRIMI I LUANES
Kështu, sipas deklarueses, atë ditë, mbasi ka përfunduar xhirimet e emisionit të saj në ambientet e TCH në Mëzes, rreth orës 18:30, bashkë me shokun e saj Krenar Çoçaj, kanë lëvizur secili me mjetet e tyre në drejtim të Tiranës, ku gjatë lëvizjes ka parë një mjet tip “Fiat”, që i binte burisë pa pushim dhe i afrohej shumë pranë mjetit të saj. Ajo ka parë se drejtues i këtij mjeti ishte pikërisht personi fans që e përndiqte gjatë gjithë kohës. Në këtë moment, sipas deklarueses, ajo ka telefonuar shokun e saj Krenarin, duke i thënë se personi që e përndiqte këto kohë ishte pas saj. Ndërsa vazhdonte të lëvizte, sipas deklarueses, te Unaza e Re, pranë hotel “R…”, ajo ka mbetur e bllokuar në trafik. Në këtë moment, personi që po e përndiqte ka zbritur nga mjeti i tij dhe i është afruar te makina e saj dhe i ka kërkuar të ulte xhamin dhe i thoshte se përse nuk i shkruante. Ai mbante të varur krahëqafë një çantë dhe e lëvizte atë sikur donte të nxirrte diçka, gjë që e kishte tmerruar, sepse nuk e dinte kush ishte ky person, çfarë personaliteti kishte, apo veprimet që mund të bënte.
PERLESHJA
Në këtë moment, sipas deklarueses, aty është afruar shoku i saj, Krenar Çoçaj, i cili është mundur me fjalë ta largonte këtë person nga makina e saj. Ai nuk largohej dhe vazhdonte të lëvizte çantën, sikur donte të nxirrte diçka, ndërsa Krenari përpiqej t’i mbante duart. Në këtë çast, pa pandehur, ky person e ka goditur me grusht në fytyrë Krenarin, ku pas kësaj ata janë konfliktuar fizikisht. Kjo situatë, sipas deklarueses, ka zgjatur për disa minuta, deri sa aty janë afruar disa persona që kanë ndërhyrë për t’i ndarë dhe më pas ka mbërritur policia, e cila në çantën që ky person mbante krahaqafë, ka gjetur një armë dhe më pas i ka shoqëruar ata në polici.