Për tretin sezon radhazi Luftëtari e nisi kampionatin me humbje dhe për të tretën herë radhazi ndëshkohet me penallti. Para dy vitesh humbiste në shtesë me Partizanin me penallti, vjet humbiste në Durrës dhe sërish penallti kundër dhe dje një tjetër humbje në premierë, po me penallti.
Gjithsesi, nuk është se në kampin gjirokastrit duan të justifikohen me këtë argument. Kapiteni Behar Ramadani pranon se Luftëtari luajti dobët ndaj Kastriotit, sidomos në pjesën e dytë. Sipas tij, ekipi ka nevojë edhe për pak kohë sa të lidhet në lojën e vet dhe për këtë do ta ndihmojnë disa lojtarë, që ende nuk janë gati.
“Ishte një ndeshje e dobët nga ana jonë, sidomos pjesa e dytë, sepse në të parën ishim më mirë se kundërshtari. Është për të ardhur keq, që nuk arritëm të merrnim pikë në fushën tonë. Mendoj se Luftëtari nuk është lidhur ende ne lojë, pra na mungon ajo lidhja mes mesfushës dhe sulmit. Me përjashtim të Shkurtajt, na mungonte i gjithë sulmi i vjetshëm, që dihet se sa e vështirë është të zëvendësohet, pasi kanë ikur lojtarë si Bregu dhe Abazaj.
Kam shumë besim se për pak javë do të jemi ndryshe, me rikthimin e disa lojtarëve. Rroca është një lojtar shumë i rëndësishëm për lojën e Luftëtarit dhe rikthimi i tij do të na ndihmojë shumë. Është ai që merr topin në mesfushë nga mbrojtja, apo mua dhe Aleksi, dhe furnizon sulmin. Humbja me Kastriotin “djeg” shumë, sepse janë pikë që më vonë do t’i kërkojmë dhe nuk do t’i gjejmë. Megjithatë, e përsëris se Luftëtari i vërtetë nuk është ai ndeshjes me Kastriotin”, – ka theksuar Ramadani për “Vipsport”
Më tej, kapiteni i gjirokastritëve vlerëson punën e stafit teknik, ndaj dhe është optimist për ndryshimin e situatës: “Për hir të së vërtetës, kemi punuar shumë mirë gjatë kësaj periudhe në stërvitje, ndaj dhe them se do të ndryshojmë. Trajneri ka bërë një punë të mirë, është shumë i logjikshëm në atë që kërkon dhe besoj se edhe me kthimin e Rrocës dhe Radoviç, kur grupi të jetë më i plotë, do të duket edhe kjo punë e mirë që kemi bërë me të.
Me lojtarët që përmenda, patjetër që edhe loja sulmues e Luftëtarit do të funksionojë si duhet, kështu që duhet të punojmë me qetësi për të mos gabuar në ndeshjet e ardhshme, duke nisur nga kjo e radhës me Laçin”, – ka përfunduar mesfushori shkodran i i Luftëtarit, Behar Ramadani.