Paketat turistike për të huajt këtë vit po ofrohen në lekë. Kjo është një tjetër situatë që vjen nga paqëndrueshmëria e tregut valutor shqiptar, kryesisht e lidhur me këmbimin e Euros. Agjencitë turistike po përdorin monedhën vendase si pasojë e rënies së fitimeve në monedhën europaine.
“Në 15 vite nuk kisha parë kontrata në monedhën vendase lekë vetëm në euro. Ka filluar që vjet me disa raste sporadike, por që po shihet mundësia në lekë që agjencitë të kenë më pak humbje dhe t’i lihet në njëfarë mënyre barra partnerit ndërkombëtar. Çmimet janë dhënë në monedhën vendase dhe partnerëve u është dhënë mundësia të llogarisin çmimet edhe sipas bankës së Shqipërisë por edhe kontrata në euro por me një diapazon ndryshimi”, u shpreh eksperti Feriolt Ozuni.
Por a do të përballemi përsëri me rritje çmimesh nga strukturat akomoduese shqiptare? “Kursi dhe kaq sa është 99 lekë për euro të jetë stabil, se ato prishin marrëveshje, bashkëpunime dhe keqinterpretime. Nëse nuk ndryshon kursi i këmbimit, s’do ndryshojnë çmimet, por me luhatjet edhe çmimet do të përshtaten.”, tha ai. Tashmë sipas ekspertëve Shqipëria nuk po lufton për tërheqjen e turistëve gjatë sezonit veror. Synimi i tyre është për një turizëm gjithëvjetor. Ndërsa pengesë shohin çdo vit të njëjtët faktor.
“Çfarë bën diferencën pjesa tjetër jashtë hapësirës të pushimeve verore. Unë do të ofrojë një shërbim dhe ti do të marrësh shërbim nga unë. Ky është një nga problemet që do ndeshemi këtë vit burime njerëzore por dhe në sektorin e transportit jo vetëm në Shqipëri por dhe Europë”, thekson Ozuni. Edhe për operatorët turistik synim nuk është më rritja e numrit të të huajve që vizitojnë Shqipërinë por tërheqja e turistëve elitar.