Elseid Hysaj mund të ketë gjetur destinacionin e radhës në karrierë. Mbrojtësi shqiptar, i cili është pa kontratë që prej 30 qershorit pas përfundimit të aventurës me Lazion, ka marrë oferta nga disa klube të Rusisë.
Sipas mediave italiane, Hysaj po vlerëson seriozisht mundësinë për të vijuar karrierën në Premier Ligën ruse.
34-vjeçari ka një karrierë të gjatë në futbollin italian, ku spikati fillimisht me Empolin dhe më pas me Napolin. Me fanellën e napolitanëve, Hysaj zhvilloi 223 ndeshje, ndërsa te Lazio regjistroi 131 paraqitje.
Mbrojtësi shqiptar ka qenë gjithashtu një titullar i rëndësishëm i Kombëtares, me plot 99 ndeshje të zhvilluara me kuqezinjtë.
Tashmë, pas më shumë se një dekade në futbollin italian, Hysaj mund të nisë një aventurë të re jashtë Italisë. Destinacioni i mundshëm: Rusia. Kujtojmë që në Premier Ligën ruse luan edhe sulmuesi i përfaqësues tone Mirlind Daku me Spartakun e Moskës. Pritet të shihet se cila prej skuadrave të kampionatit rus do të ofrohet për anësorin Shkodran, me mediat që ende nuk e kanë zbuluar emrin e saj.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







