• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Investigimi amerikan, dyshime për financime ruse edhe te LSI-ja

25/04/2018
Investigimi amerikan, dyshime për financime ruse edhe te LSI-ja

Por, cili e pagoi realisht Buck McKeon për të influencuar në dobi të një partie politike shqiptare?

Nga Dan Friedman dhe Hannah Levintova

Vitin e kaluar, Howard “Buck” McKeon, një ish-kongresmen republikan i cili ka drejtuar Komitetin Ushtarak të Dhomës së Përfaqësuesve u punësua për të lobuar për një parti politike shqiptare, e cila kërkonte akses në administratën e Trump dhe tek republikanët në Kongres.

Megjithatë, shumica e punës së kompanisë së tij u pagua nga një kompani guackë me qendër në Qipro, e quajtur “Dorelita Limited”. Lidhja u realizua nga një avokat resident në Qipro, i specializuar në krijimin e kompanive guackë, i lidhur me disa oligarkë të famshëm rusë.

Megjithatë, kompania e tij guackë kontrollohet, të paktën në letër, nga një avokat me qendër në Athinë, i cili në të shkuarën ka këshilluar disa miliarderë grekë me një të shkuar të dyshimtë. Burimi i parave që kaloi nga “Dorelita” tek “McKeon Group”, kompania e lobimit që McKeon krijoi në vitin 2015 pasi u largua nga kongresi, mbeten enigmë. Ky, në fakt, mund të jetë elementi më i rëndësishëm.

Këto marrëdhënie ngrenë dyshime se kush pagoi për lobistët amerikanë në emër të një partie të vogël shqiptare të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim (e njohur shkurtimisht si LSI), në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje misterioze përbën një tjetër shembull se si interesa të dyshimtë përdorin entitetet guackë, për të ndikuar në politikën amerikane mbi politikat e SHBA-së në Ballkan.

Muajin e kaluar, “Mother Jones” raportoi se Nicolas Muzin, një ish-ndihmës i senatorit Ted Cruz (në Teksas), i cili gjithashtu punoi për fushatën e Trump, u pagua nga një kompani skoceze guackë me lidhje me qytetarë rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Puna e McKeon për “Dorelita”-n gjithashtu ilustron se sa e lehtë falë boshllëqeve ligjore, për interesa të huaja, për të promovuar axhendat e tyre në Uashington përmes kompanive guackë, pa zbuluar identitetin apo qëllimet e tyre.

Kjo histori dëshmon se si lojtarë të ndryshëm në botë mund të përdorin kompanitë guackë, të cilat mund të zhvendosen në vende të tjera që kërkojnë shumë pak apo asnjë të dhënë, për të influencuar politikën amerikane në mënyrë anonime.

“Qëllimi parësor i kompanive guackë që operojnë në secret në juridiksione si Qipro është që të fshehin aktivitetet e tyre”, thotë Jeffrey Winters, një shkenctar politik i “Northwestern University”, i cili ka studiuar gjithashtu rrjetet financiare dhe mënyrën se si super të pasurit përdorin kompanitë guackë. “Ka gjëra shumë të dyshimta në të gjithë këtë histori”, shton ai.

“Një marrëdhënie shumë e mirë dhe e veçantë”

Në janar 2017, “McKeon Group” nënshkroi një kontratë prej 15 mijë dollarësh në muaj me LSI, partinë e tretë më të madhe në Shqipëri, për të lobuar në Uashington në emër të saj dhe për të promovuar kreun e kësaj force politike, Ilir Metën, në atë kohë Kryetari i Kuvendit Shqiptar.

Në atë moment, Shqipëria, një vend i vogël prej 2,9 milionë banorësh me shumicë muslimane, kufi me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, po bëhej gati për zgjedhjet e saj presidenciale dhe parlamentare, në plan për t’u zhvilluar përkatësisht  në prill dhe qershor 2017.

LSI la luajtur tradicionalisht një rol vendimtar në politikën shqiptare dhe në atë kohë ishte ende një partner në qeverinë e drejtuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Megjithatë, aleanca ishte e brishtë dhe LSI shumë shpejt do të bashkohej me Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Meta, nga ana tjetër, synonte gjithashtu Presidencën, një pozicion kryesisht ceremonial në këtë Republikë Parlamentare. Megjithatë, nëse Meta do të fitonte këtë pozicion, LSI natyrshëm do të fitonte një rëndësi të re politike.

Meta është një politikan jetëgjatë, që ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1999-2002. Ai u lirua në mënyrë të diskutueshme nga akuzat për korrupsion në vitin 2012, pasi një video e shfaqi duke biseduar në dukje për afera korruptive me një ish-ministër. “Meta përceptohet në opinionin publik si simboli i korrupsionit”, shkruan rishtaz një raport i “Freedom House”, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Uashington.

Kontrata e McKeon me LSI parashikonte pjesëmarrjen e Metës në ceremoninë e inagurimit të presidencës së Trump dhe takime me disa lidera të rëndësishëm në Uashington, përpara ose pas kësaj ceremonie.

Pasi Trump të betohej në detyrë, sipas kontratës, firma lobuese duhet të përkujdesej “për të kultivuar një marrëdhënie të veçantë midis tij dhe Administratës dhe Kongresit të ri”. Kontrata nuk u firmos prej zyrtarëve të LSI-së, por prej një të njohuri të një prej anëtarëve të partisë, pikërisht avokati i lartpërmendur me qendër në Athinë, i quajtur Iraklis Fidetzis.

Në mes të janarit, Meta udhëtoi në Uashington për të qenë i pranishëm në ceremoninë inaguruese të Trump dhe gjatë qëndrimit të tij, McKeon ndërmjetësoi disa takime për të, përfshi senatorët republikanë Orrin Hatch (Utah) dhe Pat Roberts (Kansas) dhe anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Conaway (Teksas), Mike Turner (Ohio) dhe Ed Royce (Kaliforni), njëkohësisht kryetar i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme.

Uashingtoni është i mbushur me lobistë që përfaqësojnë interesa dhe regjime të huaja. Ndaj, nuk kishte asgjë të dyshimtë që LSI përpiqej të gjente mbështetës në Uashington. Vitin e kaluar, të tre partitë kryesore shqiptare punësuan lobistë për të kultivuar marrëdhëniet e tyre me politikanë amerikanë.

Megjithatë, është shumë interesante ajo që ndodhi me “McKeon Group”, pasi kjo e fundit lajmëroi në shkurt 2017 se kishte ndërprerë kontratën e saj të lobimit me LSI.

Muajin pasardhës, në 24 mars, “McKeon Group” firmosi një tjetër kontratë të nënshkruar nga Fidetzis, këtë herë për të lobuar për llogari të “Dorelita Limited”, e cila deklaron si adresë të saj primare të njëjtën adresë në të cilën ndodhet zyra e avokatisë së Fidetzis në Athinë.

Një burim i afër me Fidetzis bën të ditur se “McKeon Group” ka vazhduar të lobojë për llogari të LSI-së, këtë herë përmes pagesave të mbërritura nga një entitet i ri. Kontrata e re, e vlefshme për një vit, ishte tre herë më e lartë se ajo që “McKeon Group” kishte më parë me LSI, plot 50 mijë dollarë në muaj, plus shpenzime të ndryshme.

Burimi ynë bëri gjithashtu të njohur se kontrata e “Dorelita”-s kishte si qëllim të siguronte aksesin e Metës tek Trump, në formën e një takimi apo të një fotoje. Kjo përpjekje dështoi.

Megjithatë, kontrata dhe dokumentat e tjerë shoqërues të deklaruar nga “McKeon Group” nuk e përmendin LSI-në. Deklarata që “McKeon” paraqiti në Departamentin e Drejtësisë, nën detyrimin e deklarimit të të gjithë agjentëve të huaj (FARA – Foreign Agents Registration Act), thotë se qëllimi i përfaqësimit të “Dorelita”-s është “organizimi i takimeve midis përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe zyrtarëve të “Dorelita Limited””. Këto dokumenta, në fjalë të tjera, bëjnë të duket sikur “McKeon Group” po lobon për një kompani që ka një axhendë të saj vetjake. Megjithatë, e vërteta është krejtësisht e ndryshme.

“Kjo është arsyeja përse përdoren kompanitë guackë”

“Dorelita”, nga sa mësohet, ishte një kompani guackë që duket se kishte një qëllim të vetëm, të paguante “McKeon” për të lobuar për llogari të LSI-së.

Firma u regjistrua në vitin 2013 nga avokati grek Andreas Petrou. Ai drejton një zyrë avokatie në kryeqytetin qipriot, Nikosia dhe është i specializuar në krijimin dhe manaxhimin e kompanive guackë.

Firma thotë se një të tretat e klientëve të saj janë rusë dhe reklamon një numër të posaçëm telefoni për rusishtfolësit. Sipas regjistrave tregtarë në Rusi dhe në Qipro, kompania e Petrou është e përfshirë edhe në krijimin e kompanive të tjera me qendër në Qipro për llogari të Oleg Deripaskës, një manjat rus i aluminit, marrëdhëniet e biznesit të të cilit me kreun e fushatës së Trump, Paul Manafort, e kanë përfshirë këtë të fundit në investigimet e skandalit Trump-Rusi.

Dy kompani të tjera të lidhura me Deripaskën kanë të njëjtën adresë të regjistruar si zyra e avokatisë së Petrou, përkatësisht kompanitë “Corporate Services Limited” dhe “ACL Aluminum Constructions Limited”, ku sipas regjistrave tregtarë qipriotë, Petrou është drejtor.

Të dhënat tregtare në Rusi tregojnë se Petrou është gjithashtu i lidhur me katër biznese të tjera ruse, pjesë e “perandorisë së aluminit” të Deripaskës. Më parë gjatë këtij muaji, ndaj vetë Deripaskës dhe disa prej kompanive të tij u vendosën sanksione nga Departamenti i Thesarit.

“Mother Jones” i dërgoi “Rusal”, konglomeratit të aluminit në pronësi të Deripaskës, me qendër në Moskë, një listë pyetjesh mbi marrëdhënien e oligarkut me Petrou. Kompania u përgjigj përmes emailit se “këto akuza janë mashtrime, të pabaza dhe të qëllimshme”, duke kërcënuar për marrjen e masave ligjore nëse do të publikoheshin.

Megjithatë, një zëdhënës konfirmoi më pas se zyra e avokatisë së Petrou është punësuar nga një prej kompanive të Deripaskës për të ofruar “shërbime ligjore dhe shërbime mbështetëse”.  Deripaska ka përdorur Qipron prej vitesh, si dhe një numër destinacionesh të tjera në parajsa fiskale, për të zhvendosur disa prej bizneseve të tij. Megjithatë, zëdhënësi mohoi ndonjë lidhje të mundshme midis “Dorelita”-s dhe Deripaskës, ndërsa theksoi se oligarku nuk ka asnjë interes biznesi në Shqipëri.

“Mother Jones” dërgoi një gazetar në zyrën e Petrou në Qipro, ku një tabelë me pllaka bronxi tregonte emrat e të paktën 40 kompanive të tjera, që në dukje janë të gjitha të regjistruara në të njëjtën vendndodhje.

Petrou, për të cilin një ndihmës tha se nuk ishte prezent, më pas u përgjigj me email. Ai theksoi se ofroi “shërbime emërtimi” për dy prej kompanive të lidhura me Deripaskën.

Kjo do të thotë se biznesmeni rus pagoi Petrou për të figuruar në letër si një aksioner ose si një zyrtar i firmës. Këto marrëveshje shërbejnë për të fshehur pronarët dhe aksionerët e vërtetë të kompanive. Petrou deklaroi se ishte duke përfunduar marrëdhënien e tij të biznesit me Deripaskën, për shkak të sanksioneve të fundit të vendosura ndaj oligarkut dhe firmave të tij nga ana e qeverisë amerikane.

“Emri Dorelita u refuzua disa herë nga klentët pasi më thanë që u tingëllonte si emri i një kërcimtareje në një klub nate Meksikan.”

“Veprimtaria kryesore e zyrës sime në 25 vitet e fundit ishte inkorporimi i kompanive në Qipro dhe në juridiksione të tjera jashtë shtetit dhe gjithashtu ofrimi i shërbimeve ndërmjetësuese për klientët tanë”, deklaroi Petrou në një e-mail.

Ai tregoi gjithashtu edhe disa të dhëna nga historiku i “Dorelita”-s. Petrou shpjegoi që firma “ishte e regjistruar si një kompani joaktive në zyrat tona” që do të thotë se ishte një shoqëri fiktive që lihet pa aktivitet deri sa t’i shitet një blerësi ose që po mundohet të shmangë mundimin që kërkon krijimi i një shoqërie të re apo po shfrytëzon një kompani me historik të besueshëm.

Sipas Petrou-s, kriza bankare që pësoi Qiproja në 2013-n zvogëloi ndjeshëm kërkesën për shërbimet e tij “dhe si pasojë e kësaj shumë nga kompanitë tona nuk arritëm t’i shisnim”.

Nga “Dorelita”, thotë ai në një email, ishtë veçanërisht e vështirë të çlirohej: “Emri “Dorelita” u refuzua disa herë nga klentët pasi më thanë që u tingëllonte si emri i një kërcimtareje në një klub nate Meksikan”.

Në fund, ia doli të gjente një blerës. Më 22 Shkurt 2017, ai ia shiti “Dorelita”-n Iakovos Taliadoros, drejtorit të një firme me seli në Nikosia, për 1,000 euro. Petrou tha që nuk u ngatërrua më me “Dorelita”-n pas kësaj date “dhe prandaj nuk ka asnjë dijeni lidhur me strukturën dhe pronësinë e kompanisë e as mbi aktivitetin e saj”.

Taliadoros refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me “Dorelita”-n. Pak kohë pasi “Dorelita” ndërroi pronar, Iraklis Fidetzis, që Taliadoros pranoi se e kishte klient, u emërua drejtor i shoqërisë. Sipas firmës ligjore me seli në Athinë “Papaconstantinou & Partners” ku Fidetzis shërben si avokat, ai është i specializuar në “çështje financiare dhe investime” dhe ka “përvojë të gjatë e të gjerë ndërkombëtare” në këto fusha.

Fidetzis, që nuk iu përgjigj pyetjeve, ka punuar si këshilltar i Dimitris Kontominas, një miliarder grek dhe pronar i një stacioni televiziv që u akuzua në 2016 për evasion fiskal dhe pastrim parash.

Kontominas është përballur me akuza për disa lloje krimesh financiare gjatë karrierës së tij, pa u dënuar kurrë. Një ish-zyrtar i Shërbimit Sekret Maqedonas tha në një dëshmi të marrë në 2014-n nga inteligjenca amerikane që Fidetzis kishtë qënë i pranishëm në një mbledhje në 2005-n, kur Kontominas dyshohet se rregulloi të korruptonte Kryeministrin e Maqedonisë dhe zyrtarë të tjerë për llogari të një shoqërie telekomunikacioni që quhej “Magyar Telekom”.

Rryshfetet e dyshuara janë paguar përmes kompanive guackë nga Qiproja që kontrolloheshin nga Kontominas. Sigurimi Amerikan dhe Komisioni i Shkëmbimit hetuan çështjen sepse shoqëria e telekomunikimit ishte në pronësi të “Deutsche Telekom”, e në atë kohë tregëtohej në Bursën e Këmbimit të Nju Jorkut.

“Deutsche Telekom” dhe “Magyar Telekom” paguan së bashku 95 milionë dollarë si dënim në 2011-n për të pushuar akuzat që thonin se ata kishin shkelur Ligjin e SHBA-së për Praktikat e Korruptimit të të Huajve.

Dy ish-drejtues të “Magyar Telekom” paguan gjithsej 400 mijë dollarë në gjoba në Shtetet e Bashkuara në Prill, për të pushuar hetimet e tyre individuale. Kontominas nuk u akuzua asnjëherë zyrtarisht.

Ishte muaji pasi Fidetzis mori drejtimin e “Dorelita”-s në fillim të 2017 kur ai firmosi paktin e lobimit midis “McKeon Group” dhe kompanisë guackë. Firma e lobimit më vonë denoncoi në Departamentin e Drejtësisë, por dha informacion të paqëndrueshëm lidhur me punën e saj për “Dorelita”-n.

Në Dhjetor, “McKeon Group” paraqiti një njoftim në Departamentin e Drejtësisë ku deklaronte se kishte përfunduar përfaqësimin e “Dorelita”-s që nga 28 Marsi i 2017. Por, ajo ishte e njëjta datë kur firma ishtë regjistruar për të punuar për “Dorelita”-n dhe katër ditë pasi ishte firmosur kontrata.

Sipas deklaratës së dhjetorit, firma lobuese shkëputi lidhjet me kompaninë guackë para se të kryentë ndonjë punë për llogari të saj. Por, kjo nuk është e vërteta. Në Prill të 2017, “McKeon Group” kontaktoi një mori republikanësh të kongresit për të caktuar takime për “Dorelita”-n, sipas një deklarate tjetër të “McKeon” të paraqitur në Departamentin e Drejtësisë.

Burime të shumta gjithashtu i thanë “Mother Jones” se disa nga këto takime kishin të bënin më LSI-në. Një zëdhënës i senatorit Mike Lee (Utah), që u takua më zyrtarë të LSI-së tha se ata “nuk dukej të kishin ndonjë ‘kërkesë’ të veçantë dhe ishte më shumë një takim prezantues”.

“Dorelita”, thotë zëdhënësi i Lee-së, “nuk u diskutua”. Dëshmitë mbi lobimet që bëri “McKeon Group” në Kongres thonë që firma vazhdoi të përfaqësontë “Dorelita”-n përgjatë Dhjetorit 2017. Në total, kompania raportohet të ketë fituar të paktën 65 mijë dollarë për punën për llogari të “Dorelita”-s. Nga LSI-ja u paguan vetëm 15 mijë dollarë.

LSI-ja mohon të ketë ndonjë lidhje me “Dorelita”-n. Një zëdhënës i partisë tha sa ajo s’kishte “asnjë kontakt e as dijeni” mbi kompaninë. Zëdhënësi theksoi se një anëtar i rëndësishëm i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15 mijë dollarësh nga LSI për “McKeon Group”.

Mjek dhe anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, Tavo vizitoi Shtetet e Bashkuara në fund të Prillit 2017, disa ditë para se Parlamenti Shqiptar të zgjidhte Metën si President të Republikës. Ai ishte në Uashington në ditët që McKeon caktoi takimet me anëtarët e Kongresit në emër të “Dorelita”-s, duke shtuar mundësinë që ai të ketë marrë pjesë në këto takime. Tavo nuk pranoi të komentonte.

Arben Cici, që shërben si drejtor kabineti për Presidentin Meta, deklaroi në një email që Meta që nga zgjedhja e tij nuk ka lidhje me lobistë apo “ndonjë forcë politike”. Cici nuk iu përgjigj pyetjeve për lidhjet e Metës me Fidetzis apo “Dorelita”-n.

McKeon refuzoi të fliste me “Mother Jones” për punën e firmës së tij për kompaninë guackë. Djali i McKeon, Houard McKeon Jr., që punon për të atin dhe që ishte përfshirë në një projekt në Shqipëri po ashtu nuk pranoi të diskutonte mbi këtë çështje.

Bashkëshortja e McKeon, Patricia që ishte listuar ndër kontaktet në dokumentat e dorëzuara në Kongres lidhur me Dorelitën, e mbylli telefonin kur u kontaktua nga një reporter.

Nuk ka ndonjë ligj që ndalon pranimin e pagesave nga një kompani guackë për lobim, sipas ekspertëve lidhur me rregullat e lobimit. Por, Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) kërkon të deklarohen qeveritë e huaja apo partitë politike që janë përfitues kryesorë nga lobimi dhe “McKeon Group” nuk e deklaroi LSI-në e Shqipërinë si përfitues të punës së tij për “Dorelita”-n.

“Nëse McKeon është në dijeni apo ka arsye të besojë se puna që ai po bën në fakt po drejtohet nga një parti, e që ata janë klientë realë, atëherë ai duhet ta deklarojë këtë”, thotë Joseph Sandler, një avokat nga Uashingtoni, ekspert në paktin e FARA. “Nuk ka rëndësi në fakt se kush paguan. Ligji ka për qëllim të përcaktojë se për kë po punoni në të vërtetë”.

Megjithatë i tërë synimi i përdorjes së një kompanie guackë përtej detit është të fshihen interesat e vërteta pas saj. “Prandaj përdoren kompanitë guackë,” thotë Jack Blum, avokat nga Uashingtoni i specializuar në evazionin fiskal ndërkombëtar. “Për ta mbajtur sekret”.

Në fakt, vështirë se Fidetzis, që s’ka asnjë interers të dukshëm në Shqipëri, të financonte fushatën e shtrenjtë të lobimit të “Dorelita”-s. Dhe ai me shumë gjasa po vepronte në emër të një partie tjetër. Pyetja mbetet: Kush po financontë lobimin pro LSI-së në SHBA dhe cili ishte qëllimi pas kësaj fushate ndikimi?

Hetimi i thellë i Dorelitës nuk e sqaron dot këtë, por historia e kësaj kompanie guackë tregon shumë për sa lojë e errët ndikimi të huaj luhet në Uashington./tema

How a Mysterious Overseas Shell Company Used a Former GOP Congressman to Lobby Trump and Congress

Related Posts

“Nuk bëra asgjë për t’i merituar” – Trashëgimtarja 33-vjeçare do të shpërndajë 27 milionë euro për të varfrit
Argjiro +

“Nuk bëra asgjë për t’i merituar” – Trashëgimtarja 33-vjeçare do të shpërndajë 27 milionë euro për të varfrit

23/05/2025
Sot Pashkët/ Nga historiku, domethënia, ritet e deri te polemikat shekullore, si kremtohet kjo festë
Argjiro +

Sot Pashkët/ Nga historiku, domethënia, ritet e deri te polemikat shekullore, si kremtohet kjo festë

20/04/2025
Shqiptarët vishen me “Armani” e “Prada” të falsifikuara
Argjiro +

Shqiptarët vishen me “Armani” e “Prada” të falsifikuara

03/04/2025
Lonely Planet: 15 gjërat më të mira për të bërë në Shqipëri
Argjiro +

Lonely Planet: 15 gjërat më të mira për të bërë në Shqipëri

21/03/2025
Osman Taka dhe historia e valles epike
Argjiro +

Osman Taka dhe historia e valles epike

11/03/2025
Ku të shkoni në 2025?/ Vendet më të mira për t’u vizituar
Argjiro +

Ku të shkoni në 2025?/ Vendet më të mira për t’u vizituar

01/01/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Parashqevi Simaku thyen heshtjen: Mjaft me shpifje, Zoti do e nxjerrë të vërtetën

“Parashqevi Simaku: ‘Mund të më nxjerrësh nga Kavaja, por jo Kavajën nga unë’ pas nderit ‘Qytetar Nderi’

23/12/2025
“BBVA”, nisin përgatitjet! Ledion Liço ndan pamjet

Për herë të parë në historinë e “BBA” bëhet pjesë e kastit një banor i verbër!

23/12/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al