Personi në foto është Thoma Mastora, 69 vjeç, autori i vrasjes së dy të moshuarve në Dropull, 84 vjeçarin Kosta Ilia dhe gruan e tij Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.
Sipas policisë, në banesë, aty ku ndodhi vrasja, u gjetën 50 milion lekë të vjetra, të cilat nuk u prekën nga autori, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga hetimet e kryera u arrit në konkluzionit se ata janë goditur nga sende të forta dhe prerëse. Në pyetje për këtë rast janë marrë 35 persona.
Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. Thoma Mastora me origjinë mësohet se është nga fshati Portëz i Fierit. Ai është vendosur në fshatin Bodrishtë të Dropullit në vitin 1989 pas martesës me gruan e tij.
Pra, shkoi të jetonte në fshatin e bashkëshortes, ku edhe nisi punë në koperativën e dikurshme. Në vitet ’90 emigroi drejt Greqisë dhe për lehtësi në dokumentacion ka ndërruar emrin. Mbiemrin Mastora e ka marrë prej bashkëshortes së tij. Mësohet se emri i tij i mëparshëm ka qenë Petrit. 69-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për vjedhje ndërsa mësohet se ka shfaqur ndër vite edhe probleme të shëndetit mendor.
Megjithatë grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Krimi ka ndodhur prej një konflikti të mëparshëm që autori kishte me të moshuarin Kosta Ilia, por edhe pas një përplasje të çastit pasditen kur Thoma Mastora kishte shkuar në banesën e çiftit të moshuar. ©Argjiroja.net