Klodiana Beshku
Unë nuk jam ndierë krenare mbrëmë: Jo për faktin se një grua shqiptare prezantoi në Sanremo, jo për faktin se nuk ishte e bukur apo e zonja, apo se nuk ishte veshur me shije, por për kauzën që ajo përzgjodhi të përcillte në atë skenë. Këtë e them me bindje e objektivitet, duke parathënë që nuk e kam zili aspak, madje jam lumturuar për këtë ‘ëndrrën e saj’ sikur të ishte e të gjithëve ne. Faktin që nuk e kam aspak zili Alketën më duhet ta ritheksoj fort, pasi në shoqërinë shqiptare është bërë e udhës që kritikat të të kthehen mbrapsht në planin personal me një amplitudë të jashtëzakonshme.
Po mundohem te dekonstruktivizoj vetëm disa prej elementëve të diskursit të saj:
E para, ëndrra dhe arritja e majës së suksesit profesional u ritheksua disa herë e kjo nuk ishte vërtet e nevojshme. Personalja ka vërtet pak rëndësi në një skenë ku ndiqesh nga miliona njerëz, ka rëndësi shembulli personal për të frymëzuar të tjerët, por në momentin që suksesi personal instrumentalizohet kaq shumë, ajo që iu përcillet të rinjve në vend të shembullit të mirë, ështe thjesht mburrja. Dhe mburrja është një veti jo për t’u ngritur në piedestal, por për tu zëvendësuar me modestinë, thjeshtësinë. Le t’i vëmë në vendin e tyre disa vlera tradicionale tonat se na janë bërë lëmsh.
E dyta, falënderimi i Italisë nuk qendron kuptimësisht. Italia në vetvete është një koncept abstrakt, po ashtu si Shqipëria. Janë disa italianë, ose më konkretisht artistët italianë, ata të cilët kanë mundur shpeshherë të dalin mbi paragjykimet, mbi stereotipet e ksenofobinë e italianëve për t’u hapur rrugë artistëve të talentuar shqiptarë. Ata duhen falënderuar. Ky përgjithësimi ‘Italia’ është një përgjithësim shumë populist, në fakt. Populizmin e përdorin politikanët kudo për vota, por është ulur këmbëkryq edhe në spektaklet tona.
E treta, tema e Italisë si vendi i premtuar, vendi që ka pritur shqiptarë refugjatë, gomonet e të tjera klishe si këto, më duket e tejkaluar. Shqiptarët janë integruar në aq shumë fusha në Itali sa nuk bën më përshtypje realisht nëse një shqiptar është doktor, muzikant, lektor apo pjesë e spektaklit italian. Kjo “veçanësi” është tejkaluar që kur e para shqiptare prej Shqipërisë, Elsa Lila, ngjiti shkallët e teatrit Ariston në fillim të viteve 2000 e na e çau zemrën më dysh prej emocionit, me atë përulësinë e saj prej artisteje. Ndaj, do të kisha dashur që Alketa t’a trajtonte vendin e saj e popullin e tij me më shumë dinjitet, si të barabartë, jo me ndjesinë e inferioritetit që të jep të qenët emigrant e të konsideruarit të kulturës së vendit fqinj si më superiore se e jotja. Ndoshta mund të kishte folur kundër diskriminimeve me bazë prejardhjen apo gjininë që ndodhin ende në Itali. Po, kjo do më kishte pëlqyer. Do të isha ndjerë e barabartë mes të civilizuarve.
Por Alketa mbrëmë kishte si qëllim të bënte për vete publikun italian e jo të përfaqësonte denjësisht atë shqiptar. Kësaj të parës ia ka arritur mrekullisht, por për këtë të dytën, jam e sigurt që shumë shqiptarëve, po ashtu si mua, iu ka lënë një shije jo shumë të mirë mbrëmë.