Motra e Egli Progës, 42-vjeçarit i cili u vra në Pogradec, ka reaguar pasi gjykata la në burg vetëm njërin prej të akuzuarve.
“Janë lënë të lirë vrasës. Çfarë janë këta persona që lihen të lirë? Po vazhdon të vritet Egli me çdo veprim dhe mosveprim që po kryhet. Kjo është vrasje për herë të tretë. Është vrasje me dashje dhe janë lënë lirë një tufë huliganësh”, tha ajo para mediave.
Gjykata e Korçës ka lënë në burg Denis Meçen si i dyshuar për vrasjen e Egli Progës, ndërsa për 3 të arrestuarit e tjerë Voltan Shulku, Arian Manellari e Leonidha Guçe ka vendosur detyrim paraqitje.
Ka qenë prokurore Vasjana Postol e cila pasi ka sqaruar gjithë dinamikën e ngjarjes me pasojë vdekjen e 42-vjeçarit Egli Proga, i ka kërkuar gjykatës lënien në burg të autorit Denis Meçe si dhe tre personave të tjerë të arrestuar.
Nisur nga provat paraprake të paraqitura nga akuza, gjykata ka marrë parasysh kërkesën e prokurores së çështjes për Denis Meçen, ndërkohë që për 3 personat e tjerë nuk ka bërë një gjë të tillë duke pranuar kërkesat e avokatëve për masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Denis Meçe akuzohet për vrasje me dashje vetëm tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit, pas një sherri që ka pasur në afërsi të një lokali me 42-vjeçarin Egli Proga.