Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u zhvillua të premten dhe të shtunën, duke konfirmuar edhe një herë rivalitetin dhe intensitetin e lartë të këtij sezoni, me ndeshje të luftuara, përmbysje dhe rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në renditje.
Të premten, në “Adush Muçaj”, Partizani arriti një fitore me përmbysje ndaj Bylisit, duke triumfuar 2-1 në një përballje të fortë dhe të luftuar deri në fund.
Vllaznia vijoi ecurinë perfekte, duke mposhtur FK Vorën 1-0 dhe duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Skuadra shkodrane kryeson renditjen me 45 pikë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.
Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani fitoi me përmbysje ndaj Teutës me rezultatin 2-1, në një ndeshje me ritëm dhe intensitet të lartë.
Mbrëmjen e së premtes, në Vlorë, Egnatia u rikthye te fitorja pas katër ndeshjesh, duke triumfuar 1-0 ndaj Flamurtarit dhe duke marrë tre pikë të rëndësishme në vazhdimësinë e kampionatit.
Java u mbyll të shtunën në “Selman Stërmasi”, ku Tirana barazoi me Dinamo City 1-1. Bardheblutë u ngjitën në vendin e tetë të renditjes me 21 pikë.
Kampionati “Abissnet Superiore” vijon të ofrojë garë, spektakël dhe emocione, ndërsa çdo javë mbetet vendimtare në rrugëtimin e skuadrave drejt objektivave të sezonit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







