Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mbajti një fjalim të gjatë këtë të martë në Dhomën e Deputetëve. Ndër të tjera ajo mbrojti paktin me Shqipërinë për emigrantët duke i quajtur “thashetheme të papajtueshme” akuzat që opozita italiane i bëri pas firmës me Ramën.
“Ishim ne ata që nxitëm që në fillim të mandatit tonë që Unioni të pajiset me një politikë serioze dhe të ndërgjegjshme për të luftuar trafikimin e paligjshëm të qenieve njerëzore dhe ajo që fillimisht ishte një pozicion i izoluar sot është një gjë e zakonshme dhe kjo falë Italisë.
Është për të ardhur keq që shumë nga zërat kundërshtues kanë ardhur nga Italia, ku Rama është sulmuar nga shumë anë se ka ndihmuar Italinë. Është për të ardhur keq dhe për t’u habitur që ka pasur frikë nga një dëbim të kryeministrit shqiptar nga PSE. Mesa duket, për disa italianë të majtë të ndihmosh Italinë është një faj” – tha Meloni.
Sipas saj pakti me Shqipërinë po ngjall interes në BE. “Po ngjall interes të vërtetë, me gjithë respektin për ata në shtëpi dhe në BE që duan vetëm të shkatërrojnë çdo përpjekje. Le të vazhdojnë të shkatërrojnë ato që ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe italianët do të vazhdojnë të shohin ndryshimin.
Marrëveshja me Tiranën është e destinuar të bëhet një mjet i rëndësishëm për të luftuar trafikantët për të lejuar hyrjen në territorin evropian vetëm për ata që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare. Ka një dialog të vazhdueshëm me Komisionin Evropian për marrëveshjen për të vërtetuar angazhimin në përputhje të plotë me të drejtën e BE-së, të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare” – tha kryeministrja e Italisë.