Arrestohen dy policë në Vlorë pas operacionit zhvilluar në Salento të Italisë ku u kapën 500 kg marijuhanë në një gomone që vinte nga Shqipëria.
Dy policët e arrestuar janë nënkomisar Bledar Kuçi e Idlir Ajazaj ndihmës kontrollor në “Tri Port”. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, shkruan newsbomb.al. Sakaq, policia bën me dije se operacioni ishte i përbashkët me kolegët italianë.
“Hetimet kanë dokumentuar se 2 punonjës të Policisë Kufitare në “Tri Port” nuk kanë kryer praktikën e rregullt ligjore për regjistrimin e mjetit lundrues tip gomone, i cili u kap në Brindizi me lëndë narkotike. Rezulton se mjeti lundrues, i cili figuron i regjistruar me dokumentacion në Stacionin Kufitar, ka hyrë në brendësi të Pikës “Tri Port” dhe pa u regjistruar ka dalë më pas në det.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), Vlorë, arrestoi 2 punonjës të Stacionit të Policisë Kufitare në ‘Tri Port’, N/Komisar Bledar Kuçi me detyrë përgjegjës turni dhe Inspektor Idlir Ajazaj, me detyrë ndihmës kontrollor.
Ndalimi i tyre është bërë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.









