Është arrestuar në Greqi Kujtim Demiri i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të fëmijëve.
Operacioni u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Seksionit të Kërkimit të DVP Tiranë, Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore greke. Lokalizohet në Greqi, pas shkëmbimit të informacioneve, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari i dënuar 15 vjet burgim.
“Në bazë të informacioneve të dërguara nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Capital”, është lokalizuar në Athinë, Greqi, është kapur dhe është arrestuar shtetasi shqiptar: Kujtim Demiri, 55 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, në vitin 2010, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, kryer në bashkëpunim,” njoftoi policia.
Shtetasi Kujtim Demiri ka kaluar në mënyrë të paligjshme, nga Shqipëria për në Greqi, një shtetas të mitur dhe nëpërmjet dhunës e ka detyruar atë që të lypë, përreth 1 vit. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi nga Greqia drejt vendit tonë.