60 milionë euro kesh, plus 11 të tjera në formë bonusesh, kaq i kushtoi Barcelonës afrimi i Rodrit. Lojtari më i mirë i Botërorit “FIFA2026” u prezantua zyrtarisht si blerja e fundit e klubit blaugrana. Rodri firmosi një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2030, ku ndër të tjera pranoi se këtë periudhë kishte edhe oferta të tjera, duke lënë të nënkuptohet se Reali tentoi ta joshë, por zgjodhi Barcelonën për shkak të filozofisë dhe lojës që aplikojnë, e cila është e ngjashme me atë të Spanjës:
“Pikësëpari, më duhet të them, se të largohesha nga Man.City nuk ishte e lehtë, por i falënderoj që më mirëkuptuan. Kishte ardhur momenti për një aventurë të re. Barcelona është një klub i madh, për të gjithë atë që përfaqëson. Kisha edhe oferta të tjera, por Barcelona ishte zgjedhja ime e parë, këtë ja thashë edhe Laporta-s. Shpresoj të jem menjëherë në dispozicion të Hansi Flick”, u shpreh Rodri gjatë prezantimit.
Barcelona synon tani edhe të gjejnë një sulmues në këtë merkato vere, por Hansi Flick në konferencë për shtyp u shpreh i kënaqur me ekipin që ka në dispozicion:
“Mendoj se kemi një skuadër fantastike, jemi gati të luftojmë për të fituar çdo trofe të mundshëm. Di të them se kjo skuadër është rritur shumë në aspektin cilësorë, kjo është shumë e dukshme”, u shpreh Flick i cili ndër të tjera zbuloi se kapiteni i parë i ekipit do të jetë Raphinha.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







