Koronavirusi ka qenë një armik i frikshëm këtë vit dhe burimi më efektiv në artilerinë e tij ishte paparashikueshmëria.
COVID-19, sëmundja virale që lind nga koronavirusi i fundit – nuk është sjellë në mënyrë tipike si sëmundje e frymëmarrjes. Një fushë që ka hutuar studiuesit është këmbëngulja e simptomave, e cila është quajtur, jo zyrtarisht “COVID i gjatë”.
Termi ka ardhur për të përshkruar simptoma që vazhdojnë për disa javë pas infeksionit. Për të siguruar më shumë prova për të mbështetur pretendimet, një ekip mjekësh dhe epidemiologësh nga Universiteti i Gjenevës (UNIGE), Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetit të Shtetit të Gjenevës, ndoqën gati 700 njerëz që rezultuan pozitivë për SARS -COV2 por nuk kërkuan shtrim në spital.
Gjashtë javë pas diagnozës, 33 për qind e tyre ende raportuan se vuanin nga lodhja, humbja e nuhatjes ose shijes, gulçim ose kollë, rezultate këto të botuara në “Annals of Internal Medicine”, shkruan Express.co.uk.
“Sapo mbërriti pandemia në vendin tonë, u ballafaquam me këto pyetje”, raportoi profesori Idris Guessous, mjek epidemiolog në Departamentin e Shëndetit dhe Mjekësisë në Komunitet të Fakultetit të Mjekësisë të UNIGE dhe Kryemjek i Divizionit të Kujdesit Parësor në HUG, i cili drejtoi këtë punë. Në mars, programi “COVICARE” u krijua për të ofruar monitorim në distancë për pacientët të cilët mund të ndiqen në bazë ambulatore, kur kjo ndjekje nuk mund të kryhej nga mjeku i kujdesit parësor”.
Profesori Guessous shtoi: “Kjo na ka mundësuar që të kuptojmë më mirë evolucionin e sëmundjes te njerëzit që përgjithësisht nuk vuajnë as nga faktorë specifik të rrezikut dhe as nga një formë serioze e sëmundjes.
Si i mblodhën studiuesit gjetjet e tyre dhe çfarë zbuluan ata?
Një total prej 669 njerëz u ndoqën (mosha mesatare 43 vjeç, 60 për qind femra, 25 për qind e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe 69 për qind pa faktorë të rrezikut themelor që mund të lidhen me ndërlikimet nga COVID-19).
Në gjashtë javë nga diagnoza, gati një e treta e pjesëmarrësve kishin akoma një ose më shumë simptoma në lidhje me COVID-19, kryesisht lodhje (14 për qind), gulçim (nëntë për qind) dhe humbje të shijes ose erës (12 për qind).
Përveç kësaj, gjashtë për qind raportuan një kollë të vazhdueshme dhe tre për qind raportuan dhimbje koke. Dr. Mayssam Nehme, rezident i Lartë në ekipin e profesor Guessous dhe autori i parë i kësaj pune, shpjegoi gjithashtu se si ndiheshin këta pacientë: “Përveç shqetësimit fizik të simptomave të tyre, shumë ishin të shqetësuar se për sa kohë do të zgjaste? A ishin disa efekte pas infektimit të pakthyeshme?”. Edhe pa një përgjigje të qartë mjekësore mbi pyetjet e tyre, në gjendjen aktuale të njohurive, është e rëndësishme të shoqëroni pacientët në fjalë dhe t’i dëgjoni ata.