Është ndarë nga jeta piktori i njohur i filmit shqiptar, Shyqyri Sako, një nga emrat që kontribuoi për dekada në kinematografinë shqiptare dhe në historinë e Kinostudio Shqipëria e Re.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili shprehu ngushëllime për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin artistik që e njohu nga afër krijimtarinë e tij shumëvjeçare.
Shyqyri Sako kishte një karrierë prej rreth 50 vitesh në artin e filmit. Ai studioi për tre vite në Institutin e Artit VGIK në Moskë për pikturë filmi, ndërsa më pas përfundoi studimet në Tiranë. Në vitin 1963 nisi punën në Kinostudio, ku mori pjesë si piktor filmi në realizimin e filmit “Detyrë e posaçme”, duke vazhduar më pas me dhjetëra projekte të tjera kinematografike.
Filmi i fundit ku kontribuoi ishte “Plumba prej plasteline” në vitin 1997, vit kur edhe doli në pension. Gjatë karrierës së tij, Sako u vlerësua me medalion në Festivalin e 4-t të Filmit Shqiptar për punën e realizuar me dekoret dhe rekuizitat e filmit “Mësonjëtorja”.
Përveç kontributit në skenografi dhe dekor, artisti krijoi edhe një pjesë të rëndësishme të koleksionit të afisheve të filmit shqiptar, të cilat sot ruhen si pjesë e trashëgimisë kulturore në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së kinemasë shqiptare.









