Një ditë më parë ArgjiroLajm.net publikoi fotot nga një klasë e shkollës ‘Koto Hoxhi’, e cila kishte lagështi nëpër mure dhe tavan. Sipas dëshmive që prindërit dhe mësuesit treguan për ne, problemi ishte shfaqur pasi u bë ndërhyrja nëpër mure për vendosjen e sistemit të ngrohjes. Në këtë mënyrë, pa marrë rolin e ekspertit, në ngritëm dyshime se mos ndoshta ky investim nuk ishte kryer si duhet, si dhe theksuam nevojën për zgjidhjen e problemit, pasi është skandaloze që fëmijët të bëjnë mësim në klasa me lagështi. Pas këtij lajmi ka reaguar sot Bashkia Gjirokastër, përmes Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social.
Në reagim pranohet ekzistenca e problemit, por thuhet se lagështia vjen për shkak të amortizimit të mbulesës së hidroizolimit të verandës, ndërsa sa i përket kaldajës është ende nën monitorim për çdo lloj problemi që mund të dalë, pasi investimi nuk është mbyllur ende. Veç këtij reagimi institucional të Bashkisë Gjirokastër, që sigurisht ne kemi detyrimin ta pasqyrojmë, ka edhe një ‘kakarisje’ të drejtorit të agjencisë, Armand Mamani. Duke shpërndarë në faqen e tij në Facebook reagimin që shkroi vetë te faqja e agjencisë, tenton edhe të bëjë shakaxhiun duke na u referuar neve si portali ‘mynxirolajm.net’ Pra, është nisur nga fjala ‘mynxyrë’, por e ka shkruar gabim. Armand, hape fjalorin e gjuhës shqipe që të mësosh se shkruhet ‘mynxyrë’ dhe ‘mynxir’ sikundër e ke shkruar ti.
Sigurisht që s’e ke dialektor këtë gabim drejtshkrimor, por të vjen nga niveli i dobët që ke në gjuhën shqipe. Megjithatë, mos u vë në siklet se nuk je as i pari dhe as i fundit. Ka plot drejtorë të tillë në zyrat e shtetit, prandaj Shqipëria është në këtë derexhe se kanë ngelur punët në duart tuaja. Meqë e ke merak, drejtorë të tillë që s’dinë të shkruajnë as shqipen ka plot edhe Rilindja. Mirë është të merresh me punën për të cilën të kanë ngarkuar sesa të sulmosh mediat, le më pastaj të tentosh të bësh parodistin me shaka e batuta bajate. Në respekt të lexuesve dhe për transparencë të të gjithëve, keni më poshtë reagimin zyrtar të Bashkisë Gjirokastër dhe ‘kakarisjen’ e drejtorit Armand Mamani.
©ArgjiroLajm.net