Dokumentari “Koha e pelikulës” me skenar nga Natasha Lako dhe regji Mvelan Shanaj u shfaq premierë në ekranin e kinemasë. Dokumentari bëri bashkë emrat e njohur të kinemasë shqiptare për të nderuar regjisoren e njohur. ““Madona e filmit shqiptar , Xhanfise Keko, në dhjetëvjetorin e ikjes, kthehet në ekran, në një rrëfim të udhës së saj krijuese”, pohon regjisori Shanaj për dokumentarin premierë. Ky projekt shënon dhe punën më të fundit të regjisorit të njohur Mevlan Shanaj në fushën e dokumentarit.
Dokumentari kushtuar Xhafise Kekos (Koha e pelikulës) vjen për publikun konceptuar si një rrëfim i autores, mbështetur në librin e saj “Ditët e jetës sime” kujtime, dhe libri i shkruar nga aktorët e saj të vegjël “Teta Xhano”. Organizuar në skenar nga Natasha Lako brenda këtij materiali si bazë shërbejnë kujtimet e Xhanos të qëmtuara dhe lexuara si monolog. Materialet ilustruese ngarkuar me imazhe, nga arkivi kronikat, filmat artistikë dhe mjediset kryesore të autores, që nga qyteti i lindjes Gjirokastra etj, janë pjesë e dokumentarit. Nuk mungonin te “Koha e pelikulës” vlerësime dhe intervista me bashkëpunëtorët e saj në film. “Duhet të dini se profesioni i regjisores së ekranit është nga më të rrallët në botë. Janë me gishtat e dorës regjisoret femra. Ne e kemi pasur një, Xhanfise Keko që është në përmasa botërore”, ka treguar më herët regjisori Mevlan Shanaj.
Ajo ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri. Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera eduktative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkuruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare. Përveç çmimeve e titujve të shumtë, në vitin 1984 u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit”, ka fituar edhe Kupën e Festivalit të Parë për filmin “Beni ecën vetë” në 1976. Xhanfise Keko është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. U nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.









