Kur u nisën për Baku, djemtë e kombëtares së futbollit U15 nuk dinin shumë as për vendin ku po shkonin, as për ekipet me të cilat do të përballeshin. Hera e parë që merrnin pjesë në një aktivitet kaq masiv, dhe kaq larg shtëpië, me gjithë botën aty. 189 ekipe. Planeti i bërë bashkë në një pikë të hartës në 10 ditët e fundit të tetorit.
Edhe pse nuk ka marrë vemendjen e duhur, Kombëtarja Shqiptare e U15 arriti në kampionatin botëror që u zhvillua në Azerbajxhan, një rezultat historik. Vendi i 17-të nuk është pak, kur merr parasysh se në garë ishin 189 kombëtare të planetit.
Kjo ishte hera e parë që zhvillohej një garë e tillë për këto mosha në një aktivitet kaq masiv, nën kujdesin e FIFA-s, dhe posaçërisht të Arsen Venger i cili është dhe përgjegjës për futbollin e këtyre brezave.
Kombëtarja e djemve shqiptarë i fitoi të gjitha ndeshjet në grup dhe befasia ishte triumfi me Bregun e Fildishtë që shihej si një nga skuadrat favorite të kompeticionit.
Në fazën e dytë, U15 kuqezi arriti 4 fitore me kombëtare të forta si me Algjerinë, Australinë, Bosnjen dhe Perunë. Nuk ja dolën vetëm me Egjiptin, por rezultatet ishin impresionuese. Në 10 ndeshje, 9 fitore dhe vetëm një humbje e kjo i renditi në vendin e 17. Kombëtarja U15, la pas ekipe si Argjentina, Portugalia, Anglia apo Kroacia, me traditë e talente në futboll.
Djemtë e kombëtares tonë manifestuan shpirt të fortë luftarak dhe saktësi taktike, duke mos u lëkundur edhe përpara skuadrave ndoshta me epërsi fizike apo me talente që vinin nga akademitë e skuadrat më të forta të Europës.
Botërori i Bakusë tregoi se futbolli shqiptar ka një të ardhme të mirë dhe fidanishtja që po merr shtat në shkollën sportive në Durrës, që njihet si Elite Youth Academy, është premtuese. Nga ky brez për të cilin ka një kujdes të veçantë nga Federata, bie në sy se pjesa më e madhe e tyre që formojnë dhe kombëtaren, janë futbollistë që luajnë dhe angazhohen këtu në kampionatet dhe ekipet vendase.









