Kombëtarja U-21 ka nisur prej të dielës grumbullimin në Antalia të Turqisë, në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Uzbekistanit, që do të luhet më 30 mars në ora 14:30 në Antalia. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka zhvilluar disa seanca stërvitore me grupin e lojtarëve të grumbulluar në Turqi.
Nga grumbullimi në Antalia, folën për fshf.org dy lojtarët e Kombëtares U-21, të sapoardhur në skuadër, Benjamin Dibrani dhe Eron Gojani.
Benjamin Dibrani, mesfushori i ardhur rishtaz në Kombëtaren U-21 shprehet shumë i lumtur për ftesën e marrë dhe e konsideron këtë moment si mjaft të rëndësishëm për vetën dhe karrierën e tij.
Ftesa nga Kombëtarja U-21 – Kam qenë shumë i lumtur kur e kam marrë vesh që Kombëtarja më ka bërë ftesë. Shumë i gëzuar dhe i lumtur dhe e kam parë si një mundësi të mirë për karrierën time.
Sa e rëndësishme është ftesa nga Kombëtarja për ty? – Është moment shumë i rëndësishëm për mua sepse të luash për Kombëtaren është një gjë e madhe dhe e rëndësishme. Për karrierën dhe për këtë moment që jam tani.
Si të kanë pritur lojtarët dhe si ka shkuar grumbullimi deri më tani? – Ka qenë shumë mirë. lojtarët më kanë pritur mirë, po kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Kemi shumë kimi. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë deri më tani me të gjithë, stafin, trajnerët, lojtarët. Trajningu është i fortë, niveli shumë i mirë.
Çfarë presim nga Dibrani në Kombëtare? – Është shumë e rëndësishme që të luaj për Kombëtaren. Të tregoj cilësitë që kam unë dhe të forcohemi më shumë për ndeshjet e ardhshme.
Eron Gojani, sulmuesi shqiptar që aktivizohet në Norvegji, i ardhur gjithashtu rishtaz në ekipin U-21 nuk e fsheh gëzimin që ka marrë ftesën për të luajtur për kuqezinjtë. Ai shpreson që të ndihmojë ekipin me cilësitë e tij dhe është i lumtur për pritjen nga skuadra kuqezi.
Ftesa nga Kombëtarja – Jam shumë i gëzuar, është një moment i madh për mua në karrierën time. i kënaqur dhe krenar që do të përfaqësoj Shqipërinë. Ftesa nga Kombëtarja për mua është gjithçka. Është një mundësi për mua që të tregoj cilësitë e mia në fushë. Uroj që të ndihmoj ekipin me cilësitë që unë kam dhe të tregoj veten në nivele ndërkombëtare.
Si të ka pritur ekipi – Përshtatja ka qenë shumë e mirë. Lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Duket një grup i mirë, social dhe të gjithë rrimë bashkë. Jemi një grup i mirë brenda dhe jashtë fushe. Ditët kanë shkuar shumë mirë, stërvitjet kanë qenë të një niveli të lartë dhe shpresoj që çdo ditë të jetë më mirë dhe të bëhemi gati për finalet e Kampionatit U-21.
Si do e ndihmojë Gojani skuadrën? – Është shumë e rëndësishme për mua, sidomos për ekipin. Nëse mund të ndihmoj ekipin shqiptar me cilësitë e mia, është nder dhe jam krenar që më kanë dhënë këtë mundësi. Shpresoj që do të shkojmë larg si grup, të luftojmë në finale dhe të shkojnë ndeshjet sa më mirë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









