Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka mbajtur dje mbrëmjen gala për “Princin e Polifonisë” dhe “Nderin e Kombit” Lefter Çipa. Një koncert madhështor që ka regjistruar një pjesëmarrje absolute dhe ka thyer rekord në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Këngët e Atdheut tim”, një krijim origjinal dhe me vargje që këndohen nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç donte Lefter Çipa kur i krijoi, janë vënë në skenë nga trupa profesioniste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe artistët më të mirë që ka Shqipëria.
Vlerat muzikore, pjesë korale të përpunuara nga krijimtaria e mjeshtrit Lefter Çipa dhe ndërthurje e polifonisë vokale me instrumentet popullore (Orkestrën), si dhe etydin koreografik, janë vënë në skenë nga stafi i Ansamblit, nën drejtimin e Sokol Marsit.
Madhështia e kësaj mbrëmje në nderim të kujtimit të Lefter Çipës ka thyer rekord në TKOB, sepse të gjitha biletat janë shitur të gjitha gati një ditë para shfaqjes.
Të pranishëm kanë qenë miqtë e Lefterit dhe familjes Çipa, personalitete të medias, politikës, kulturës dhe artit shqiptar, të cilët kanë shijuar një koncert të realizuar deri në detaje, ndërsa këngët dhe vallet që u rivunë në skenë ishin thjesht magjike.
Petrit Lulo, Irini Qirjako, Përparime Ziflaj (PARO), Golik Jaupi, Hatixhe Lushi, Nazif Çela, e shumë emra të tjerë të muzikës popullore kanë kënduar vargjet e poezive dhe këngëve të shkruara me aq mjeshtëri nga mjeshtri Lefter Çipa.
Pikën kulminante koncerti e arrit kur në skenë doli grupi i Bejka e Bardhë i Pilurit, i cili i këndoi birit të Pilurit.
Veç këngëve polifonike dhe qytetare, një detaj ndryshe ishte edhe dueti mes sopranos Eva Golemi dhe rrokerit Aleksandër Gjoka, në një përpunim të këngës së famshme “Tundu bejke e bardhë” nga kompozitori dhe drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar Sokol Marsi.
Koncerti pati dhe pjesëmarrjen e veçantë të artistit Bujar Asqeriu “Nder i Kombit”. Solistë këngëtarë: Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Gjezo, Mirela Aliaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka. Solistë valltarë: Gëzim Halili, Helga Saraçi, Marjana Shkreta, Rei Berisha, Frenki Ziaj. Pjesëmarrës në koncert ishin dhe Irini Qirjako, Petrit Lulo, Artur Vera, Bashkim Alibali, Hatixhe Lushi, Ermioni Mërkuri, Përparime Ziflaj (Paro), Golik Jaupi, Nazif Çela, Katina Beleri, Vendim Kapaj. Grupet Polifonike të Himarës, Bënçës dhe Pilurit.