Kryebashkiaku aktual i Bashkisë Finiq, Leonidha Kristo, është i pari që ka vendosur të regjistrohet si i pavarur në zgjedhjet e 30 qershorit meqë opozita nuk do të marrë pjesë.
Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2015 ku u prezantua si kandidat i partisë minoritare greke “MEGA”, Kristo në këtë garë elektorale është regjistruar si i kandidat i pavarur. Në një intervistë për gazetën “TemA”, ai tregon se ky vendim erdhi pas një konsulence me banorët e zonës që përfaqëson.
Kristo, siç e dini në prag të zgjedhjeve vendi ndodhet në një ngërç të fortë politik. Si erdhi vendimi juaj për të rikandiduar?
Zgjedhjet i takojnë popullit dhe jo partive, ndaj unë në këtë rast përfaqësoj popullin. Nga ana tjetër unë jam kryetar në detyrë i bashkisë. Nga ky pozicion, kam detyrimin të raportoj para komunitetit që më ka zgjedhur për arritjet, problemet, shqetësimet që kemi përballuar dhe do të përballojmë në të ardhmen. Raportimi është detyrim kryesor i një pushtetari. Këtij detyrimi unë nuk kam në plan t’i fshihem. Të gjithë njerëzit me të cilët bisedoj në zonën time e respektojnë dhe e mbështesin këtë vendim. Këtu buron vendosmëria ime për të kandiduar.
Pse zgjodhët të hyni në garë si kandidat i pavarur dhe jo si pjesë e një sigle politike?
Partitë politike aktualisht janë futur në një luftë kampesh me njëra-tjetrën. Është një luftë e cila bëhet për qëllime të tjera dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet. Qytetarët e Finiqit dhe unë si kryetar i tyre nuk e mirëkuptojmë këtë luftë prandaj nuk bëhemi pjesë e saj. Beteja jonë janë zgjedhjet dhe ne duhet t’i shërbejmë vetëm asaj.








