Gjirokastra ishte ndër qytetet problematike, që u përmbyt nga reshjet e dendura të shiut.
Në lidhje me situatën e pazakontë në qytetin jugor, kryebashkiaku Flamur Golemi, në një lidhje me Klan News, tha se nuk ka pasur thjesht reshje shiu, por se masiv gurësh kanë ardhur nga Mali i Gjerë.
Sipas tij, po punohet në terren dhe në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura. Golemi shtoi se kanalet janë pastruar vetëm pesë ditë përpara shirave të mëdha, duke thënë se historia që kanalet nuk pastrohen është e rreme.
“Situata nga reshjet në Gjirokastër është drejt përmirësimit. Po punojmë në bashkëpunim edhe me Forcat e Armatosura. Ishte një material ortek që erdhi nga Mali i Gjerë, nuk ishte thjesht ujë. Situata ishte më problematike, sepse nuk ishte vetëm shi. Nuk është vetëm problematika në qytet, por edhe në njësi administrative ka probleme. Ne kemi në terren me grupet e monitorimit, me konstatim-monitorimin dhe në përfundim të procesit, do ketë dëmshpërblim financiar për këdo që është prekur nga përmbytjet. Nuk po punojmë në koordinim vetëm me FA, por edhe me biznesmenë. Pesë ditë përpara se të ndodhin përmbytje, kanali është pastruar. Përroi i Ficos është pastruar, kjo historia që nuk është pastruar përroi është e kotë”, tha Flamur Golemi.
Një sërë qytetesh u prekën nga reshjet e dendura të shiut, që prekën në vendin tonë. Ndër to ishte edhe Gjirokastra, edhe pse qyteti nuk është në nivele të ulëta mbi nivelin e detit.









