Rreth 9.53 milionë është shifra e turistëve të huaj të kanë vizituar Shqipërinë deri në prag të fundvitit. Këto shifra u bënë të ditura nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë momentit të prezantimit të objektivave të lidhura me turizmin në Kongresin e PS.
“Muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547.221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53%) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor”.
Ajo shtoi se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairet ndërkombëtare Fitur- Madrid dhe ITB-Berlin në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit për vitin 2025 me një program promovues njëvjeçar.